Në Francë kanë nisur grevat dhe protestat kundër reformës së diskutueshme të pensioneve, ku pritet të marrin pjesë më shumë se 1 milion njerëz.
Pritet që banorët e Francës të dalin në rrugë anembanë vendit, ku me thirrjen e sindikatave në shumë sektorë, veçanërisht energjia, transporti, arsimi dhe shëndetësia, do të marrin pjesë në protesta në shumë qytete, shkruan AA, përcjell Fol Drejt.
Sipas raportimeve në shtypin e vendit, populli do të protestojë në më shumë se 300 pika ndaj reformës së qeverisë, e cila synon të rrisë moshën e pensionit nga 62 në 64.
Në rajonin Ile-de-France, pjesë e të cilit është kryeqyteti Paris, në orët e para të mëngjesit u krijua kolonë qindra kilometrash të automjeteve dhe disa stacione treni u bastisën nga protestuesit.
Policia ndërhyri kundër protestuesve që mësynë stacionet.
“Ditë e zezë” për vendin
Për shkak të grevës parashikohet të ketë ndërprerje në transportin tokësor dhe ajror.
Sindikata e Përgjithshme e Punësimit (CGT), e cila përfshin shumë sindikata, njoftoi se prodhimi i energjisë elektrike në termocentralet EDF, që është ofruesi kryesor i energjisë në vend, ka filluar të ulet me 3.000 vat.
Prodhimi i energjisë në termocentralet bërthamore gjithashtu ka rënë ndjeshëm.
Pothuajse të gjithë punonjësit në rafineritë dhe magazinat e TotalEnergies vendosën të dalin në grevë.
Punonjësit dhe studentët e Science Po, një nga universitetet kryesore evropiane të shkencave sociale me qendër në Paris, gjithashtu mbështetën grevat dhe protestat.
Duke theksuar se më shumë se 1 milion njerëz pritet të marrin pjesë në demonstrata, shtypi francez e cilësoi ditën e sotme si një “ditë të zezë” për vendin për shkak të ndërprerjeve në shumë sektorë, përfshirë transportin dhe energjinë, për shkak të grevave dhe protestave.
Ministria e Brendshme njoftoi se në kuadër të demonstratave në të gjithë vendin janë dislokuar 11 mijë policë dhe forca të xhandarmërisë.
Reforma e diskutueshme e pensioneve të qeverisë
Kryeministrja e Francës, Elisabeth Borne, më parë kishte njoftuar se mosha ligjore e pensionit do të rritet gradualisht me 3 muaj çdo vit nga 1 shtatori në 64 vjeç deri në 2030.
Ndërsa mbi 1 milion njerëz morën pjesë në protestat e zhvilluara në të gjithë vendin më 19 janar kundër reformës së pensioneve, 8 sindikata drejtuese i bënë thirrje popullit të dalë sërish në rrugë sot./FolDrejt/