Një person nga Arkansasi, i cili u fotografua me këmbë mbi tavolinë në zyrën e ish-kryetares së Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi, gjatë trazirave të 6 janarit 2021 në Kongresin e SHBA-së, u dënua me 4.5 vjet burg të mërkurën, njoftoi Departamenti i Drejtësisë në SHBA.
Richard “Bigo” Barnett, 62-vjeç, u dënua në janar për tetë akuza, katër vepra penale dhe katër kundërvajtje, lidhur me sulmin në Capitol, përcjell Fol Drejt.
“Barnett u shpall fajtor më 23 janar 2023 për të gjitha akuzat, përfshirë pengimin e një procedimi zyrtar, pengimin e punës të një oficeri policie gjatë trazirave civile, hyrjen dhe qëndrimin në një ndërtesë ose terren të kufizuar me armë të rrezikshme ose vdekjeprurëse dhe sjellje të parregullt dhe shqetësuese në një ndërtesë ose mjedis të kufizuar me armë të rrezikshme, të cilat përbëjnë vepër penale”, thuhet në deklaratë.
Fotoja e Barnett në zyrën e Pelosit u bë një nga fotot më të njohura nga trazirat në Capitol.
Gjykatësi i qarkut, Christopher Cooper vuri në dukje se Barnett nuk pranoi asnjë përgjegjësi për veprimet e tij ndërsa dha dënimin e tij të mërkurën, sipas raporteve të mediave.
Pesë persona humbën jetën nga dhuna në Capitol Hill më 6 janar ndërsa ndërtesa e Capitolit (Kongresi) pësoi dëme të konsiderueshme. Katër oficerë të zbatimit të ligjit vdiqën nga vetëvrasja si pasojë.
Sulmi shënoi herën e parë që Capitoli ishte pushtuar që kur forcat britanike e dogjën atë gjatë luftës së vitit 1812./FolDrejt/