Të paktën një person ka humbur jetën dhe 14 të tjerë janë plagosur në dy shpërthime të ndryshme sot në Kudsin Perëndimor të cilat dyshohet se janë sulme me bombë.
Në një deklaratë me shkrim nga policia izraelite thuhet se në Kudsin Perëndimor kanë ndodhur dy shpërthime për të cilat dyshohet se janë sulm me bombë pranë stacioneve të autobusëve në dy pika të veçanta, shkruan AA, transmeton Fol Drejt.
Në deklaratë u tha se të paktën 11 persona u plagosën në shkallë të ndryshme si pasojë e shpërthimit në një stacion autobusi në kryqëzimin Givat Shaul, në dalje të Kudsit Perëndimor rreth orës 07:05 të mëngjesit.
Pas këtij shpërthimi njoftohet se në orën 07:35 ka ndodhur shpërthimi i dytë pranë një stacioni autobusi në kryqëzimin Ramot në Kudsin Perëndimor, ku u plagosën 3 persona.
Mësohet se njëri nga të plagosurit i cili u dërgua në spital ka ndërruar jetë ndërsa 4 prej tyre janë në gjendje të rëndë.
Policia izraelite thuhet se ka ekzaminuar provat dhe dëshmitë në të dy skenat e krimit dhe “ka punuar për të gjetur të dyshuarit”.
– Policia izraelite në gatishmëri për sulme të mëtejshme
Shefi i policisë izraelite, Kobi Shabtai pas ekzaminimit të vendit të shpërthimit në Givat Shaul, deklaroi se një sulm i tillë me bombë nuk kishte ndodhur prej vitesh në Kuds.
Shabtai i cili kreu hetime në rajon, kërkoi që publiku “të jetë më i kujdesshëm” dhe se forcat e sigurisë po kërkojnë autorët dhe “eksplozivë të tjerë të mundshëm në qytet”.
Ndërkohë, u njoftua se kryeministri izraelit Yair Lapid do të zhvillojë një takim privat sigurie mesditën e sotme./FolDrejt/