Elbert Krasniqi, ministër i Administrimit të Pushtetit Lokal, ka thënë se nuk do të digjet mandati i kryetarëve dhe asamblistëve të komunave. Para gazetarëve, pas takimit të qeverisë me kryetarët e komunave, ai shpjegoi se cilët do të jenë hapat të cilët do të ndërmerren së shpejti, në drejtim të konstituimit të kuvendeve komunale si dhe marrjes së detyrës nga kryetarët e sapo zgjedhur, shkruan Fol Drejt.
“Nuk digjet mandati i kryetarëve dhe asamblistëve të komunave, janë të parapara afatet ligjore që janë tri herë nga 15 dhe mandej prej momentit kur konstituohet Kuvendi fillon rrjedha e afatit prej 30 ditësh, për dhënien e betimit të kryetarëve të komunave” – ka thënë në një konferencë për media Ministri Krasniqi.
Sipas Krasniqit, është rënë dakord që me secilën komunë të organizohet nga një seancë e betimit, si dhe aty ku ka nevojë edhe të konstituimit të Kuvendit.
“Kuvendi i Komunës së Mitrovicës së Veriut ka dërguar informacione në MAPL që të premten do të organizohet seanca për betimin e kryetarit dhe gjithçka do të jetë në proces të organizimit në mes Kuvendit Komunal të Mitrovicës së Veriut, në sallën e Kuvendit Komunal aty ku e kanë vendin asamblistët dhe kryetari i komunës”, tha ai./FolDrejt/