Oda Ekonomike Amerikane ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës t’i marrë “menjëherë parasysh thirrjet nga SHBA-ja dhe BE-ja për shtensionimin e situatës në veri të vendit”, në mënyrë që të tërhiqen investitorët dhe të mbështetet rritja e qëndrueshme ekonomike.
“Investitorët kërkojnë mjedise të qëndrueshme dhe të sigurta për bizneset e tyre, ndërsa tensionet e vazhdueshme mund të minojnë besimin në prospektet ekonomike të Kosovës. Tensionet dhe përplasjet krijojnë një atmosferë pasigurie dhe paparashikueshmërie, e cila i pengon investitorët e mundshëm”, thuhet në deklaratën e Odës Ekonomike Amerikane, të publikuar më 8 qershor.
Oda Ekonomike Amerikane është shprehur e shqetësuar ngjarjet në veri dhe për “mungesën e vullnetit të Qeverisë së Kosovës për të koordinuar përpjekjet e saj me partnerët ndërkombëtarë, përfshirë SHBA-në dhe BE-në”.
Në këtë deklaratë thuhet tutje se SHBA-ja dhe BE-ja kanë qenë mbështetëse dhe e kanë ndihmuar Kosovës në zhvillimin e saj politik dhe ekonomik, duke kërkuar kështu që Qeveria e Kosovës të dëgjojë kërkesat e tyre. /REL/