Lufta në Ukrainë është një tragjedi që duhet të ndalet, ose do të ketë një krizë globale ushqimore, pasi çmimet plehrave kimike në mbarë botë janë tashmë shumë të larta dhe kjo bëhet e pa përballueshme për shumë fermerë. Kjo deklaratë është bërë nga “mbreti” i sanksionuar i plehrave kimike dhe i qymyrit të Rusisë, Andrei Melnichenko.
Disa nga biznesmenët më të pasur të Rusisë kanë bërë thirrje për paqe që kur Vladimir Putin urdhëroi pushtimin më 24 shkurt, duke përfshirë Mikhail Fridman, Pyotr Aven dhe Oleg Deripaska.
“Ngjarjet në Ukrainë janë vërtet tragjike. Ne kemi nevojë urgjente për paqe”, tha për Reuters Melnichenko, 50 vjeç, i cili është rus, por ka lindur në Bjellorusi dhe ka një nënë ukrainase.
“Si një rus nga kombësia, një bjellorus nga lindja dhe një ukrainas nga gjaku, ndiej dhimbje dhe mosbesim të madh duke parë se popujt vëllezër luftojnë dhe vdesin”, u shpreh ai.
Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre evropianë e cilësuan pushtimin e Putinit si një rrëmbim toke të stilit perandorak që deri më tani është ekzekutuar keq, sepse Moska e nënvlerësoi rezistencën ukrainase dhe vendosmërinë perëndimore për të ndëshkuar Rusinë.
Perëndimi ka sanksionuar biznesmenët rusë, duke përfshirë sanksionet e Bashkimit Evropian ndaj Melnichenkos, ngriu asetet shtetërore dhe ndërpreu pjesën më të madhe të sektorit të korporatave ruse nga ekonomia globale në një përpjekje për të detyruar Putinin të ndryshojë kursin./FolDrejt/