Drejtori ekzekutiv i Bayernit, Oliver Kahn tha sot se të gjithë në klubin e Mynihut janë të zhgënjyer nga humbja nga Manchester City në ndeshjen e parë të çerekfinales së Ligës së Kampionëve, raportojnë mediat gjermane.
Manchester City ka mposhtur mbrëmë në shtëpi Bayernin me rezultat 3:0. Pas kthimit në Mynih, futbollistët dhe stafi i trajnerëve të Bayernit patën një takim të detyrueshëm në mesnatë me drejtuesit e klubit.
“Sigurisht që jemi të zhgënjyer me rezultatin në Manchester. Prisnim që gjërat mund të ishin ndryshe pas ndeshjes së parë. Manchester City është i klasit botëror dhe ndoshta skuadra më e mirë në Evropë. Futbolli ka të bëjë vetëm me rezultatet, por mendoj se edhe ne kishim shanset tona, të cilat ne nuk i shfrytëzuam”, tha Kahn, i cili iu drejtua lojtarëve pas kthimit në Mynih, transmeton Fol Drejt.