Organizata e Bashkëpunimit Islam (OBI) ka dënuar sulmin ndaj Kuranit para Ambasadës së Irakut në Suedi, shkruan AA, transmeton Fol Drejt.
Sekretari i Përgjithshëm i OBI-t, Hussein Ibrahim Taha, në një deklaratë me shkrim dënoi aktin provokues. Ai shprehu zhgënjimin e thellë që autoritetet suedeze vazhduan të lejojnë akte të tilla pavarësisht nga pasojat e rënda të këtij akti të neveritshëm.
Taha iu referua deklaratës së mbledhjes së jashtëzakonshme të Bordit Ekzekutiv të OBI-t të mbajtur më 2 korrik, se “veprime të tilla provokuese janë në kundërshtim me frymën e neneve 19 dhe 20 të Paktit Ndërkombëtar për të Drejtat Civile dhe Politike dhe nuk mund të justifikohen në asnjë mënyrë me pretekstin e lirisë së shprehjes”.
Deklarata u bën thirrje autoriteteve suedeze “të mos lejojnë grupet dhe individët ekstremistë, në mënyrë që akte të tilla të rrezikshme provokuese të mos përsëriten”.
Salwan Momika me origjinë nga Iraku, i cili dogji Kuranin më parë në Suedi, dje përsëri ka fyer fenë islame duke marrë Kuranin dhe flamurin irakian nën këmbët e tij para Ambasadës së Irakut në Stokholm.