Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se “është e rrezikshme të kesh një fqinj si Serbia”, por se NATO dhe “forcat tona” do të “parandalojnë skenarët” e presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, shkruan Danas, përcjell Fol Drejt.
Në një intervistë për kroaten “Veçernje list”, Osmani ka theksuar se është shumë krenare për marrëdhëniet e Kosovës me Kroacinë.
Duke folur për situatën në Kosovë, bisedimet me Serbinë dhe “provokimet e Vuçiqit” dhe pse kundërshton krijimin e bashkësisë së komunave me shumicë serbe, ajo tha se Serbia pretendon që sipas propozimit që është në qarkullim, ajo bashkësi të ketë kompetenca ekzekutive.
Po ashtu, Osmani hodhi poshtë çdo ide për “ndarje të vendit”.
“Situata në Kosovë është jashtëzakonisht e tensionuar, negociatat disi janë të bllokuara, nuk ka dinamikë. Megjithatë, Miroslav Lajçak dhe Gabriel Escobar para pak kohësh kanë ardhur dhe kanë paralajmëruar një raund të ri të bisedimeve”, tha Osmani. /FolDrejt/