Partia opozitare më e madhe në Indi ‘Kongresi Kombëtar Indian’, sipas rezultateve zyrtare, ka fituar zgjedhjet kryesore provinciale në shtetin jugor Karnataka, duke e mundur partinë në pushtet Bharatiya Janata (BJP), njofton AA, transmeton Fol Drejt.
Rezultatet nga Komisioni Zgjedhor i Indisë tregojnë se në votimin e zhvilluar të mërkurën, nga 224 vende gjithsej, partia e Kongresit Kombëtar mori 135 vende, ndërkohë kryeson edhe në një vend tjetër.
Sipas rezultateve të numërimit që ka filluar mëngjesin e sotëm, partia në pushtet ka fituar 65 vende.
Rezultati i zgjedhjeve konsiderohet i rëndësishëm pasi duket se do të vendosë tonin për zgjedhjet e përgjithshme të planifikuar për në fillim të vitit të ardhshëm.
Në Indinë jugore, Karnataka është i vetmi shtet ku BJP-ja aktualisht mban pushtetin.
Fitorja e sotme për partinë opozitare është fitorja e dytë e madhe e saj së fundmi, pasi ajo ka pësuar zhgënjim në disa zgjedhje rajonale gjatë viteve të fundit dhe udhëheqja e saj tani po bën përpjekje për të ringjallur partinë e madhe të vjetër.
Pas fitores, mbështetësit e Kongresit Kombëtar dolën në rrugë për të festuar.
Zgjedhjet në Karnataka po ashtu ishin zgjedhjet e para që kur një ndër udhëheqësit e Kongresit Kombëtar, Rahul Gandhi, humbi vendin e tij parlamentar pasi u dënua për shpifje në muajin mars.
Në fillim të këtij viti, Gandhi udhëtoi nga jugu në veri të Indisë në këmbë në një marshim që synonte “bashkimin e Indisë”.
Gandhi, së bashku me lidershipin tjetër, bëri fushatë agresive në Karnataka.
Liderët e partisë në pushtet, përfshirë kryeministrin Narendra Modi, gjithashtu bënë fushatë të fuqishme, por analistët vlerësuan humbjen për shumë faktorë, duke përfshirë anti-funksionimin e sistemit të shtetit dhe rritjen e inflacionit.
Mallikarjun Kharge, kreu i Kongresit Kombëtar Indian, tha se njerëzit votuan për të ardhmen e tyre progresive, mirëqenien dhe drejtësinë sociale.
“Me duar të mbledhura, ne i falënderojmë ato që na kanë besuar”, shkroi ai në Twitter.
Kryeministri Modi përgëzoi partinë e Kongresit Kombëtar për fitoren, duke theksuar se, “Uroj më të mirat për ta në përmbushjen e aspiratave të popullit”.
Kryetari kombëtar i BJP-së, Jagat Prakash Nadda, pranoi humbjen dhe tha se partia “pranon mandatin e popullit të Karnataka-s me përulësi”.
Nën udhëheqjen e kryeministri Modi, tha Nadda, BJP-ja do të “vazhdojë të punojë për përmirësimin e popullit dhe të ngrejë zërin e tyre duke luajtur në mënyrë aktive rolin e opozitës konstruktive”.