E shpallur shtet i pavarur 14 vjet më parë, Kosova është njohur nga 117 shtete në total. Ndërsa, në pesë vjetët e fundit i ka pranuar vetëm katër njohje ndërkombëtare.
Njohja e fundit që ka marrë Kosova ka qenë nga shteti i Izraelit, më 1 shkurt, 2021. Kjo njohje ka qenë pjesë e një marrëveshjeje me Serbinë, për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike, e nënshkruar në Uashington, më 4 shtator, 2020, në praninë e presidentit të atëhershëm amerikan, Donald Trump.
Para Izraelit, për gati tre vjet, Kosova nuk është njohur nga asnjë vend.
Për më tepër, ajo është përballur me fushatën e Serbisë për çnjohje. Autoritetet në Serbi kanë thënë se kanë arritur t’i bindin disa vende për të tërhequr njohjet e Kosovës, në mesin e tyre: Surinami, Burundi, Liberia, Ishujt Solomon, Madagaskari, Togo, Republika Qendrore e Afrikës, Gana, Siera Leone e të tjera. Autoritetet e Kosovës, megjithatë, nuk kanë konfirmuar ndonjë çnjohje./FolDrejt/