Danas shkruan se drejtori i të ashtuquajturës Zyra për Kosovën, Petar Petkoviq, ka reaguar ndaj deklaratës së kryeministrit të Kosovës Albin Kurti, i cili tha se nuk do t’ia lejojë hyrjen e presidentit të Serbisë Aleksandar Vuçiq në Kosovë, transmeton Fol Drejt.
“Nervozizmi i Albin Kurtit për marrëveshjen në Ohër, prej nga u kthye pa asnjë nënshkrim dhe njohje nga Beogradi, por me detyrimin për të formuar Asociacionit, po përshkallëzohet çdo ditë. Prandaj kot mburret se mund ta ndalojë vizitën e presidentit Aleksandër Vuçiq te populli serb në Kosovë, edhe pse nuk pyet asgjë për këtë”, thuhet në njoftimin e Petkoviqit.
Për më shumë sipas tij, “deklaratat e tilla të Albin Kurtit më së miri tregojnë se me çfarë faktori përçarës ballafaqohet Beogradi gjatë gjithë kohës në dialog. Është e qartë se Kurti nuk dëshiron dialog dhe po përpiqet në çdo mënyrë të shmangë formimin e Unionit të Komunave Serbe, por Kurti mund t’i shesë marifetet e tij ndoshta në treg dhe askund tjetër.”
Petkoviq ka thënë se tashmë është e qartë se “Kurti ka frikë nga vizita e Vuçiqit sepse e di se sa do të thotë kjo për popullin serb në Kosovë, kurse Kurti shkon në zonat serbe fshehurazi dhe mashtrues dhe kthehet me hundë të varur dhe punë të pa kryer.”/FolDrejt/