Petar Petkoviq, që mban pozitën e drejtorit të Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, është shprehur se ende nuk ka kurrfarë afati të paracaktuar për normalizim të marrëdhënieve mes Beogradit dhe Prishtinës, teksa ka komentuar edhe deklaratën e kryeministrit Kurti.
Në deklaratën e tij, kryeministri Kurti ishte shprehur se pranvera e vitit 2023 pritet të jetë afati për arritjen e marrëveshjes për normalizim me Serbinë, ndërkaq për këtë deklaratë, Petkoviq ka thënë se Kurti është duke e mashtruar publikun para fytyrës.
“Kurti është duke mashtruar publikun para fytyrës. Faktet janë që nuk ka kurrfarë afati të paracaktuar për normalizim të raporteve në mes të Beogradit dhe Prishtinës”, është shprehur Petkoviq, raporton Tanjug.
Në vend të kësaj, Petkoviq ka thënë se i vetmi tik-tak që po bie është ai për krijimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.
“I vetmi tik-tak që po bie është ai për formimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe dhe se ‘afati’ ekziston vetëm në kokën e Kurtit”, ka shtuar Petkoviq./FolDrejt/