Ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Armend Mehaj, ka bërë të ditur se pilotët e FSK-së kanë përfunduar me sukses të lartë programin e rifreskimit teorik dhe praktik të fluturimeve me helikopter në Bazën e Forcave Ajrore të Shqipërisë.
“Në Bazën e Farkës të Forcave Ajrore të Shqipërisë, pilotët tanë të Njësisë së Aviacionit të FSK-së, përfunduan me sukses të lartë programin e rifreskimit teorik dhe praktik të fluturimeve me helikopter tip AB-206, me qëllim të ruajtes së aftësive fluturuese individuale dhe operacionalitetit të njësisë sonë.
Ngritja e kapaciteteve ajrore e institucioneve të sigurisë së Republikës së Kosovës, është nevojë për realizim të suksesshëm të operacioneve të përbashkëta ndërinstitucionale, si dhe atyre të përbashkëta në reagime për menaxhim krizash me forcat e Shqipërisë dhe forcat e vendeve tjera partnere rajonale mbi konceptin “Smart defense””, ka shkruar Mehaj në facebook.
Mehaj e ka konsideruar këtë program si shumë të rëndësishëm për rigjenerim të shkathtësive operacionale të pilotëve të FSK-së, sidomos në kohën e ngritjes së kapaciteteve ajrore.
Mehaj njëkohësisht ka falenderuar dhe u ka shprehur mirënjohje Forcave Ajrore të Republikës së Shqipërisë./FolDrejt/