Profesori i kriminologjisë, Ervin Karamuço ka folur për një metodë të re të trafikut të kokainës.
I ftuar në studion e Radar Informativ me Juli Xhokaxhi, Karamuço tha se autoritetet spanjolle kanë kapur së fundmi dronë amfibë nën ujë, që mund të transportojnë deri në 80-100 kg lëndë narkotike pa u pikasur.
Eksperti hodhi dyshime se mund të mos jetë e largët dita që të përdoren edhe në vendin tonë, ndërsa theksoi se duhen marrë masa dhe të mbikëqyret bregdeti.
“Janë kapur dronë amfibë nën ujë. Nuk e shoh të largët ditën që të përdoren këto lloj dronësh, që nga Rada deri në brigjet e Qerretit
80-100 kg, pa u pikasur. Duhen përdorur mini radarët. Të merren masa që të mbikqyren jo vetëm portet, por edhe bregdeti”, deklaroi ai.
Ndër të tjera, Karamuço gjatë bisedës në studio u ndal edhe tek siguria në plazhe. Pak ditë më parë një gomone përplasi pushuesit në breg në Jalë dhe rasti u përsërit sot sërish në Vlorë. Eksperti tha se duhet të shtohen kontrollet siç ndodh me drejtuesit në rrugë.
“Ne i lëmë këta njerëz, pa ditur çfarë rrezikshmërie kanë. Ngjarja e Jalës, ishin në breg. Ka një mungesë të kontrollit. Duhen kontrolluar gjithë kohës, siç kontrollojmë drejtuesit e rrugës. Do të ketë të tjera nëse nuk bëhet”, u shpreh Karamuço./abcnews.al/