Poezia “Thirrore korridori” nga Ervin Hatibi
Thirrore korridori
Goca t’buk’ra të rinisë sime të parë
Për ju më hapen e më bien përduarsh
Freskoret kineze të enumeracionit
Me ju hapen e mbyllen afresket
Përgjithësisht bardhezi
Të arkivave të tranzicionit
“… Sonila Sopi u gjet e therur
Në Milano, në plehra e hedhur”
Gocat e buk’ra të rinisë sime të parë
Ju ishit pa e ditur dhe pa faj
Bija të luleve të San Françiskos oqeanike
Por shampot ju vinin nga Bullgaria
Fallco dhe ballkanike
Ju vetëm liri, liri kërkonit
Dhe mëshirë nga motorristët e palarë të Babrroit
Goca të mira të Tiranës së parë
Burrat tuaj janë reporterët italianë
E ju më dukeshit të gjitha të mira
Kure unë isha thjesht i pakrehur
Dhe nuk kam pasur kurrë Sida
Thjesht’ më pëlqenin legjendat dhe Stigma
Si kafshë shtëpijake, por e egërsuar
Ju vrojtoja
Përtej Bob Marlit bjond të flokëve të mia
Goca të mira, të njohura, të Tiranës së natës
Me zhargonin tuaj të zhdukur tashmë
Bashkë me baret efemere
Në jug t’Unazës
Bashkë me pseudonimet romantike të spaçatorëve të
Vjetër
Që në fakt e nxirrnin bukën
Me ndonjë zanat tjetër
Zhdukur zërat tuaj si mente në mitingun e opozitës
Që zgjaste sa besimi ndaj politikës
Zhdukur përfundimisht silueta juaj e mirë
Nëpër palestra
Ku sot fabrikojnë një tip femrash të tjera
(pak më të lehta)/FolDrejt/