Palestinë/ Forcat policore izraelite kanë nisur një inkursion të ri në kompleksin e Xhamisë Al-Aksa, duke plagosur të paktën një palestinez, sipas Kryqit të Kuq Palestinez, shkruan Al Jazera.
Mediat palestineze raportuan të enjten se forcat izraelite qëlluan besimtarët me gaz lotsjellës dhe plumba gome gjatë lutjeve të agimit dhe se të rinjtë palestinezë u përgjigjën me gurë dhe bomba benzine, transmeton Fol Drejt.
Nga Jerusalemi, Stefanie Dekker e Al Jazeera tha se forcat izraelite qëlluan granata trullosëse, plumba gome dhe sprej piper ndaj adhuruesve palestinezë në vend.
Ajo shtoi se të rinjtë palestinezë u kundërpërgjigjën me fishekzjarrë nga xhamia Al-Qibly ndaj grupeve të kolonëve izraelitë të ekstremit të djathtë që kaluan nëpër kompleks për t’i shënuar Pashkët.
“Ajo që është e rëndësishme është se kjo do të jetë hera e fundit. Qeveria izraelite i ka ndaluar këto grupe të hyjnë në kompleksin e Xhamisë Al-Aksa deri në fund të Ramazanit” – shprehet reporterja.
“Këto vizita, nga nacionalistët izraelitë të krahut të djathtë, kanë ndryshuar në natyrë [me kalimin e viteve]. Ata po bëjnë thirrje për të drejtën për t’u lutur në kompleks” tha Dekker, duke shpjeguar se kjo sfidon status quo-në e rënë dakord midis Izraelit dhe Jordanisë në vitin 1967 dhe që ndalon jomuslimanët të falen në vend./FolDrejt/