Policia e Kosovës sot ka zhvilluar një operacion në rajonin e Pejës, ku janë kontrolluar dhjetë barnatore për të cilat ekzistonte dyshimi i arsyeshëm se të njëjtat biznese janë duke shitur produkte farmaceutike pa banderola dhe të njëjtat produkte dyshohet se janë të kontrabanduara dhe të rrezikshme për jetën e qytetarëve, transmeton Fol Drejt.
Sipas njoftimit të policisë, gjatë këtij kontrolli, në gjashtë prej tyre është gjetur sasi e konsiderueshme e produkteve farmaceutike pa banderola.
“- Biznesi 1, në tri (3) njësi janë gjetur: 398 lloje të barnave pa banderola, 40 copë barna me banderola të falsifikuara, një produkt narkotik pa licencë. Të njëjtit biznes i është lëshuar vendimi nga inspektorati farmaceutik për mbyllje të biznesit pasi që ka qenë duke punuar pa farmacist përgjegjës;
– Biznesi 2, në dy (2) njësi janë gjetur: 203 lloje (produkte) medicinale pa banderola;
– Biznesi 3, në një (1) njësi janë gjetur: 80 lloje (produkte) medicinale pa banderola;”, thuhet në njoftimin e policisë.
Tutje thuhet se tre pronarë të bizneseve-barnatoreve janë shoqëruar në stacion policor dhe janë intervistuar në cilësinë e të dyshuarve lidhur me veprat penale të cekura më lartë.
Është konfiskuar sasia e barnave pa banderola që dyshohet se janë të kontrabanduara, ndërkaq, pas intervistimit, personat e dyshuar me urdhër të Prokurorit kujdestar nga Prokuroria Themelore në Pejë janë liruar në procedurë të rregullt.