Testet balistike tregojnë për një lidhje të vrasjes së gjashtë burrave dhe plagosjen e një gruaje në Kaliforni, të gjitha potencialisht nga dora e një vrasësi serik, vrasje që kanë vazhduar prej më shumë se një viti, sipas policisë.
Javën e kaluar autoritetet njoftuan se pesë burra u vranë muajt e fundit në Stockton, të cilët u qëlluan për vdekje ndërsa ishin vetëm dhe në errësirë. Të hënën vonë, policia tha se edhe dy rastet e tjera vitin e kaluar, vdekja e një burri në Oakland dhe plagosja e një gruaje në Stockton, janë të lidhura me këto vrasje, shkruan AA, transmeton Fol Drejt.
“Ai definitivisht plotëson përkufizimin e një vrasësi serik”, tha oficeri i policisë së Stockton-it Joseph Silva.
Policia nuk bëri të ditur nëse të shtatë të shtënat lidhen me armën e njëjtë.
Në rastet fatale të Stockton-it, asnjë nga burrat nuk ishte grabitur apo rrahur përpara se të vritet, dhe vrasjet gjithashtu nuk duket se kanë lidhje me bandat apo drogën.
Qyteti i Stockton-it, policia dhe pronari i një kompanie vendase ndërtimi kanë ofruar në total 95 mijë dollarë për informacione që do të çonin në arrestimin e vrasësit.
Zyra e Ekzaminuesit Mjekësor të Qarkut San Joaquin identifikoi viktimat e Stockton-it të hënën si Paul Yaw, 35 vjeç, i cili u vra më 8 korrik; Salvador Debudey Jr., 43 vjeç, i cili u vra më 11 gusht; Jonathan Hernandez Rodriguez, 21 vjeç, i cili vra më 30 gusht; Juan Cruz, 52 vjeç, i cili u vra më 21 shtator dhe Lawrence Lopez Sr., 54 vjeç.
Lopez u qëllua pak para orës 2 të mëngjesit të 27 shtatorit në një zonë banimi në veri të qendrës së qytetit.
Policia tha se katër nga viktimat e Stokton-it po ecnin vetëm, ndërsa i pesti ishte në një makinë të parkuar kur u vra në mbrëmje ose herët në mëngjes në qytetin me 320 mijë banorë, që ndodhet rreth 80 kilometra në jug të kryeqytetit të shtetit, Sakramento./FolDrejt/