Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork ka kërkuar që shqiptarëve që janë në Serbi të u jepen të njëjtat të drejta që kërkon Serbia për serbet në Kosovë, transmeton Portalb.mk.
“Të drejtat e serbëve në Kosovë pasqyrojnë normat dhe vlerat evropiane, e njëjta gjë duhet të vlejë edhe për minoritetin shqiptar në Luginën e Preshevës, në jug të Serbisë. Fatkeqësisht, ne ende mbetemi të shqetësuar për mosaktivitetin e adresave të tyre të banimit dhe mungesën e investimeve të konsiderueshme dhe stimujve ekonomikë në atë rajon”, tha Begaj.
Mbi 6,000 shqiptarë etnikë në komunat e Serbisë jugore të Preshevës, Bujanoviqit dhe Medvegjës janë hequr në mënyrë të paligjshme dhe sistematike nga regjistri civil serb gjatë viteve të fundit. Kjo ka hequr të drejtën e shqiptarëve për të votuar, për të pasur kujdes shëndetësor dhe arsim, për të blerë dhe shitur prona dhe për të përfituar nga shërbimet shtetërore.
Situata u zbulua nga hulumtuesja Flora Ferati Saschemesier dhe Euractiv ishte një nga mediat e para anglishtfolëse që publikoi gjetjet e punës së saj disa vjeçare. Për gati një dekadë hulumtimi Saschemesier zbuloi se mbi 6,000 shqiptarë u hoqën nga të dhënat shtetërore në atë që Komiteti i Helsinkit e quajti “spastrim etnik administrativ”. Hulumtimi i kryer nga akademikja Flora Ferati Sachesenmaier përfshinte dëshmitë e shumë banorëve dhe ish-banorëve, analiza të listave historike të votuesve dhe një mori dokumentesh zyrtare.
Të dhënat tregojnë se sipas statistikave shtetërore, numri i shqiptarëve është ulur deri në 71% në disa zona, edhe pse ata ende jetojnë fizikisht atje. Banorët thonë se autoritetet serbe dërguan zyrtarë shtetërorë për të verifikuar adresat e tyre, por ata (zyrtarët) në fakt nuk i vizitonin adresat dhe në vend të kësaj raportonin se prona ishte bosh. Familje të tëra janë hequr më pas nga regjistri civil, pa mundësi për apelim.
Një letër i është dërguar Sekretarit Amerikan të Shtetit Anthony Blinken nga dy senatorë, dhe eurodeputetja Viola von Cramon avokoi për këtë rajon në Parlamentin Evropian.
Ndryshe, paraprakisht serbët në Kosovë kanë kundërshtuar kryetarët e rinj shqiptarë të komunave, të cilët fituan zgjedhjet që partitë dhe popullata serbe i bojkotuan. SHBA-ja dhe BE-ja kanë kërkuar nga Prishtina dhe Beogradi të ulin tensionet dhe që të mbahen zgjedhje të reja. BE gjithashtu ka kërkuar të nisë zbatimi i Marrëveshjes Kosovë-Serbi, sipas të cilës parashikohet themelimi i asociacionit të komunave serbe.