Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka marrë ftesë nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden për të marrë pjesë në Samitin e Dytë për Demokraci.
Samiti për Demokraci është nismë e Shtëpisë së Bardhë që mëton të nxjerrë në pah suksesin e demokracisë në dobi të qytetarëve si dhe adresimin e sfidave më të vështira botërore.
Më 9 dhjetor 2021, Presidentja Osmani përfaqësoi Kosovën në edicionin e parë të Samitit për Demokraci, platformë që ka bashkuar vendet anekënd globit në përpjekjet e tyre për të konsoliduar vlerat demokratike dhe për t’i promovuar e fuqizuar tutje ato.
Republika e Kosovës, përgjatë vitit që shkoi, ka arritur suksese të rëndësishme në të tri zotimet të cilat kishin për qëllim fuqizimin e sundimin e ligjit dhe luftën kundër korrupsionit, luftimin e autoritarizmit, avancimin e të drejtave të njeriut, diversitetin dhe gjithëpërfshirjen me fokus në avancimin e të drejtave të grave dhe barazisë gjinore.
Për shkak të këtij suksesi, nga më shumë se 100 shtete pjesëmarrëse, Presidenca e Republikës së Kosovës, është përzgjedhur nga Shtëpia e Bardhë që të bashkë-udhëheqë me grupin tematik për sundim të ligjit./FolDrejt/