Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky në një bisedë telefonike me homologun e tij indonezian Joko Widodo tha se Ukraina është e gatshme të vazhdojë të jetë një garantues i sigurisë globale të ushqimit. Këtë e ka thënë Zelensky në llogarinë e tij në Twitter, transmeton Ukrinform, përcjell Fol Drejt.
“Patëm një telefonatë me Presidentin e Indonezisë, Joko Widodo. Ne diskutuam rëndësinë e vazhdimit të Iniciativës së Grurit. Ukraina është e gatshme të vazhdojë të jetë garantuese e sigurisë globale të ushqimit,” tha ai.
Sipas tij, liderët e të dy vendeve i kushtuan vëmendje edhe përgatitjeve për samitin e ardhshëm të G20-ës.
Më 29 tetor, Rusia njoftoi tërheqjen e saj nga Iniciativa e Grurit të Detit të Zi, duke justifikuar vendimin e saj me një sulm ndaj anijes së saj në Flotën e Detit të Zi në Gjirin e Sevastopolit. Rusia fajësoi Ukrainën dhe Mbretërinë e Bashkuar për sulmin. Pavarësisht tërheqjes së Rusisë nga Iniciativa për Grurin e Detit të Zi, anijet me grurë vazhduan të largoheshin nga portet e Ukrainës. /FolDrejt/