Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy tha se po përgatiten me një vendosmëri të madhe për kundërsulm në luftë, se në një kohë të shpejtë do hedhin hapa të rëndësishëm dhe se janë të motivuar për këtë, njofton AA, transmeton Fol Drejt.
Që nga fillimi i luftës që Rusia filloi kundër Ukrainës më 24 shkurt 2022 deri më tani, Zelenskyy ka vizituar për herë të parë kryeqytetin e Italisë, Romën dhe pas përfundimit të takimeve zyrtare mori pjesë në një program në televizionin shtetëror italian dhe iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve italianë.
Duke rikujtuar se në opinionin publik italian janë shfaqur komente se ka një lodhje për mbështetjen ndaj Kievit, Zelenskyy tha: “Le të mendojmë se (presidenti i Rusisë Vladimir) Putin erdhi në vendet e NATO-s. Atëherë në këtë luftë ju do të dërgoni qytetarët, baballarët, fëmijët tuaj sepse jeni anëtarë të Aleancës. Unë jam një person pragmatik. Shoqëria juaj duhet të kuptojë këtë. Që të ndihmosh Ukrainën është më mirë se të dërgosh qytetarët tuaj në luftë”.
Më tej Zelenskyy tha se falë Italisë dhe Francës mund të mbrojnë qiejt e tyre dhe se do të kishin më shumë humbje po të mos ishin sistemet e mbrojtjes ajrore të marra nga këto vende. “Më e rëndësishmja është të përfundojë lufta”, tha Zelenskyy i cili shtoi se Putin është “agresiv” dhe se ata vetë nuk duan të jetojnë në kaos.
Lidhur me bisedën telefonike që zhvilloi me presidentin e Kinës, Xi Jinping, Zelenskyy tha se “Biseduam për çështje të rëndësishme. I thash se kemi besim që Pekini nuk do të furnizojë me armë Moskën. Jinping u përgjigj se nuk do të furnizojnë me armë dhe nuk do të mbështesin Rusinë”.
Ndërsa në lidhje me bisedimet e paqes që Vatikani dhe Papa Françesku sollën në rend dite, Zelenskyy deklaroi: “E respektoj Papën por ne kemi nevojë për paqe dhe jo për ndërmjetësim. Ne e ftojmë Papën të punojë për paqen ashtu sikur liderët e tjerë por më parë duhet të bëjmë gjërat e tjera. Nuk mund të ndërmjetësoni me Putinin, asnjë vend në botë nuk mund ta bëjë këtë”.
Presidenti ukrainas tha se nuk dëshiron të bisedojë me Putinin. “Rrugëdalja e Ukrainës është kundërsulmi. Mbështetja për Putinin brenda Rusisë do të bie kur të mbërrijnë në kufirin e Krimesë”, tha Zelenskyy.
– Kur do të jetë kundërsulmi i Ukrainës?
Në pyetjen se kur do të jetë kundërsulmi i Ukrainës, Zelenskyy tha se “Brenda një kohe të shkurtër do të hidhen hapa të rëndësishëm. Po përgatitemi me një vendosmëri të madhe dhe do të vijnë hapa të rëndësishëm. Jemi të motivuar për këtë. Nuk mund të jap përgjigje lidhur me kohën dhe mënyrat por do t’i shihni. Ne besojmë tek fitorja”.
Lidhur me mundësinë e përdorimit të armëve bërthamore në luftë, Zelenskyy tha: “Mendoj se Putini nuk do të përdorë armë bërthamore. Askush nuk mund ta dijë se çfarë kalon në mendjen e presidentit të Rusisë por nuk duhet të frikësohemi. Putini ka një dëshirë të madhe për të jetuar dhe do të përpiqet të bëjë çdo gjë për të jetuar”.
Më tej Zekenskyy tha se nuk heziton nga mbajtja e një referendumi në Krime, por se një referendum i tillë nuk mund të zhvillohet në territoret e tyre për shkak se është kundër kushtetutës së Ukrainës.