Presidentja Vjosa Osmani vlerëson se kthimi i targave të veturave nga ato ilegale në “RKS” do të ishte edhe në të mirën e serbëve që jetojnë në pjesën veriore.
Duke folur për kërkesën e emisarit amerikan, Gabriel Escobar që vendimi të shtyhet përtej 31 tetorit, Osmani ka thënë se kjo do të shkonte më së shumti në demin e qytetarëve serbë.
“E kam thënë edhe në takim me Escobar që kjo në esencë është çështje e sundimit të ligjit. Mbi 90 përqind e serbëve i kanë targat në RKS, ata e respektojmë ligjin dhe parimin e barazisë. Por ekziston një grup i vogël që akoma nuk e ka bërë këtë ndryshim, për arsyen e vetme sepse kërcënohen nga bandat kriminale që paguhen nga Aleksandër Vuçiq”, ka thënë Osmani, njofton KlanKosova.tv.
“Shtyrja e vazhdueshme nënkupton se po tolerohen kërcënimet në raport me serbët lokalë. Vendimi nuk është kundër serbëve, por për mbrojtjen e tyre nga bandat kriminale”.
“Serbët që jetojnë në veri janë nonstop nën kërcënim. Bëhet fjalë për targat të kohës së Sllobodan Millosheviqit që nuk kanë qenë të ligjshme as në kohën e UNMIK-ut, e lërë më tani”.
Osmani ka bërë thirrje edhe një herë që të gjithë qytetarët serbë t’i kthejmë veturat e tyre në targat legale, “RKS”.