Pas rastit tragjik që ndodhi sot në QKUK, ku mbeti e vrarë një grua 35-vjecare bashkë me foshnjën e saj, nga ish-bashkëshorti, ka ardhur edhe reagimi nga presidentja Osmani.
Osmani, përmes një shkrimi në facebook, ka thënë se sonte gjithë Kosova e vajton vrasjen e gruas që nuk arriti të bëhej nënë, siç thotë presidentja.
“Sonte vajton një Kosovë e tërë për gruan që s’arriti të bëhet nënë, për bijën e humbur, për jetën që u shua pa të drejtë. Sonte vajtojmë për jetën e palindur që nuk frymoi kurrë, për jetën që nuk erdhi në jetë.
Një tjetër krim makabër e çnjerëzor. Një tjetër “burrë” që nuk mund të quhet qenie njerëzore, por që ia mori jetën gruas dhe fëmijës që do të bëhej gëzimi e jeta e nënës.
Sonte mungojnë fjalët se ato i ka zëvendësuar dëshpërimi. Sonte është e vështirë të mendosh se ka shpresë!”, ka shkruar presidentja Osmani.
Ajo tutje ka shtuar se sonte shpresa dhe besimi janë më të nevojshme se kurrë.
“Kjo valë kriminale e ky femicid ndaj grave duhet të marrë fund. Në sprovë jemi jo vetëm si shtet, por edhe si shoqëri. S’ka më arsyetime e justifikime. Jeta e vajzave dhe grave, sikurse e çdo qytetari tonë është e shenjtë.”, ka shtuar ajo tutje.
Sipas saj, asnjë vajzë e grua më shumë është thirrje kombëtare për të gjithë ne.
“Përgjigja për dhunuesit, abuzuesit dhe vrasësit është rendi dhe ligji e dënimi maksimal.
Borxhi ynë ndaj viktimave të dhunës, jetëve të palindura e jetëve të ndërprera pa të drejtë është një dhe i vetëm: DREJTËSI!”, ka përfunduar presidentja Osmani./FolDrejt/