Bëhet fjalë për 11 nxënës të klasës së gjashtë që në pritje të hapjes së paraleles akoma nuk e kanë filluar këtë vit shkollor. Por megjithatë, pritja e tyre rezultoi me përgjigje negative nga ana e komunës së Gazi Babës, ku nëpërmjet vendimit të fundit kanë thënë se kërkesa për hapje të paraleles së re është bërë me vonesë dhe se numri i vogël prej 11 nxënësve nuk e plotëson kushtin për formimin e paraleles. Në vendimin e komunës theksohet poashtu se paralelja e re duhet të shoqërohet edhe me 10 punësime të reja për të cilat duhet kërkuar pajtueshmëri edhe nga Ministria e Financave. Por një vendim i tillë nuk është i pranueshëm për Këshillin e Prindërve, të cilët thonë se edhe përskaj propozimit që fëmijëve tu sigurohet transporti për në fshatin Ognjancë, ata nuk pranojnë më që fëmijët të udhëtojnë 8 kilometra, por duan që mësimin ta ndjekin në shkollën ku kanë mësuar deri në klasën e pestë. Këshilli i prindërve thotë se vendimi i tillë vjen për shkak se banorëve maqedonas u pengon gjuha shqipe, edhe pse ajo tashmë është gjuha e dytë zyrtare në shtet. Prindërit paralajmërojnë protesta në rast se nuk marrin përgjigje pozitive deri më 1 tetor.
Ridvan Seferi, Këshilli i Prindërve
“Ai na dha letër ku kishte kërkesë me përgjigje negative, ku thuhet se ne ju rrijmë në dispozicion për të transportuar fëmijët në fshatin Ognjancë. Ne nuk e kërkojmë atë, ne kërkojmë paralele në fshatin tonë, pasi aty janë kushtet, në ndërrimin e dytë shkolla është e zbrazët, por edhe në ndërrimin e para, kati i dytë është gjithmonë i zbrazët. Kushtet janë, të gjitha janë, por këtu është punë inati, punë nacionalizmi, puna pse të mësohet shqip, u pengon gjuha shqipe. Nëse nuk bëhet kjo paralele do të ndërmarrim masa radikale, masat radikale janë protestë para shkollës, bllokim i shkollës, bllokim i autostradës Shkup Veles dhe bllokimi i rrugës së vjetër Shkup Veles. Ne po kërkojmë nga data 1 të hapet klasa, atëherë ne do të marrim masat radikale, me protesta. ”
Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Arbër Ademi tha se kjo çështje do të diskutohet në mbledhjen e ardhshme të Qeverisë, duke mos përjashtuar mundësinë që një gjë e tillë të ndodh edhe më herët. Ai vendimin për mos hapje të paraleles shqipe e cilësoi si joserioz dhe të papërgjegjshëm dhe tha se edhe përskaj faktit që nuk mund të ndërhyjë në organizimin e mësimit në Komuna, Ministria e Arsimit dhe shkencës nuk mund të rrijë duarkryq para një situate të tillë.
Arbër Ademi, Ministër i Arsimit dhe Shkencës
“Është një vendim joserioz dhe i papërgjegjshëm, një vendim i cili është non sense dhe se si qeveri edhepse nuk kemi kompetenca që të ndërhyjmë në organizimin e mësimit në komuna, për arsye se edhe shkollat fillore edhe të mesme, shumica prej tyre janë shkolla komunale, si qeveri do ta trajtojmë këtë çështje në mbledhjen e ardhshme të Qeverisë, e pse jo edhe përpara mbajtjes së mbledhjes së Qeverisë….Ne nuk kemi ndenjur dhe nuk mund të rrijmë duarkryq para një situate të tillë, e cila se mund të krijojë tensione.”
Nga drejtori i shkollës nuk arritëm të marrim deklaratë, pasi punonjësit na thanë se ai nuk ndodhet në shkollë. Ndryshe, banorët shqiptarë të Idrizovës thonë se me këtë problem ballafaqohen që nga viti 2006, ku gjithmonë kanë kërkuar që fëmijët e tyre të vazhdojnë të ndjekin mësimin në shkollën fillore “Njegosh” edhe pas përfundimit të klasës së pestë./Shenja