Profesori universitar, Ag Apolloni, përmes një postimi në rrjetin social Facebook është shprehur e diskutimet e ditëve të fundit nuk kanë të bëjnë aq shumë me draftin për asociacionin, sa kanë të bëjnë me përgatitjet e shtetit të Kosovës rreth padisë ndaj shtetit serb për gjenocid, raporton Fol Drejt.
“Hallakama e ditëve të fundit nuk ka të bëjë aq me draftin për asociacionin, sa me një ‘draft’ tjetër që po përgatit Kosova: ‘draftin’ për ta paditur Serbinë për gjenocid. Kryeministri, kryekuvendari dhe presidentja kanë thënë publikisht se po punojnë seriozisht në këtë ‘draft’. Madje, kryeministri ka thënë se kjo padi është prioritet i tij në dialogun me Serbinë.”, shkroi Apolloni në llogarinë e tij.
Apolloni theksoi se Amerika, që më 1999 ka bërë, siç ka thënë vetë, një intervenim humanitar, nuk mund të mos e mbështesë Kosovën pa e tradhtuar vetveten. Amerika na ka dhënë të drejtë atëherë, dhe do të na kuptojë tash kur po bëhemi gati ta ushtrojmë të drejtën tonë për padi.
Ai shtoi se kryeministri mund të bëjë ndonjë tolerim, në koordinim me miqtë, për draft-asociacionin, por s’mund të tolerojë asnjë grimë për draft-padinë, ashtu siç nuk toleruan miqtë kur e goditën regjimin e Millosheviqit. Testi i tij është padia ndaj Serbisë, jo asociacioni, që është një ‘punë e kryer’ nga paraardhësit e tij. /FolDrejt/