Partia Socialdemokrate ka realizuar një aksion simbolik në shenjë revolte ndaj fjalëve që tha kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, për Oliver Ivanoviq në 5-vjetorin e vrasjes së tij.
PSD ka vendosur një bust të improvizuar të Oliver Ivanoviq përpara ndërtesës së Qeverisë së Kosovës siç kanë thënë ata për ta ngushëlluar kryeministrin Kurti.
“Funksioni i bustit është i dyfishtë; ai ngushëllon Kurtin në njërën anë dhe shpërfaq tendencat e tij për ri-intepretim të figurës së Ivanoviçit në anën tjetër. Ivanoviç është kriminel lufte i dënuar; Kurti po dëshiron të ri-intepretojë atë përbrenda konfliktit të tij me Vuçiqin. Kështu e transformon në punëtorin e devotshëm të përkushtuar për një Kosovë multietnike”, ka thënë Qëndron Kastrati nga radhët e PSD-së, dikur ish-kryetar i komunës së Kamenicës dhe ish-anëtar i Vetëvendosjes.
Sipas Kastratit, qëllimi nuk arsyeton metodën.
“Ngjarjet e individët, si në këtë rast Oliver Ivanoviq, nuk mund të jenë objekt ri-interpretimi për teke të Kurtit. S’është thjesht hipokrizia, por rreziku i totalitarizmit që duhet të na shqetësojë. Përballë saj kërkojmë demokraci dhe përgjegjësi. Kryeministër, kërko falje!”, ka shtuar më tej Kastrati./FolDrejt/