Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin tha se eksporti i plehrave bujqësore ruse përballet me “pengesa artificiale”.
Putin u takua në Moskë me Dmitriy Mazepin, kryetar i Komisionit të Prodhuesve të Plehrave të Unionit të Industrialistëve dhe Sipërmarrësve Rusë dhe një prej aksionarëve kryesorë të Uralchem, një nga prodhuesit më të mëdhenj të plehrave në vend, shkruan AA, transmeton Fol Drejt.
Putin theksoi se vendet e Afrikës kanë kontaktuar Rusinë për shkak të sanksioneve të vendeve perëndimore. “Sigurisht që nuk mund ta kuptojnë se çfarë për ndodh. Sepse vazhdimisht flasim se vendet e varfra duhet të ndihmohen. Madje, po pengohen edhe ndihmat e plehrave që ne duam t’i sigurojmë falas. Kjo është kategorikisht e papranueshme”, tha presidenti rus.
Ai tha se eksporti i plehrave ruse vazhdon të zhvillohet. “Uralchem është një nga prodhuesit më të mëdhenj të plehrave në botë. Pavarësisht pengesave artificiale të disa vendeve unë di që punimet (e eksportit) po ecin me sukses. Ato që dëmtohen më shumë nga pengesat janë tregjet globale. Jemi të gatshëm të zgjerojmë punimet tona në këtë fushë me të gjithë partnerët tanë, pa përjashtim”, tha Putin.
– Problemet kryesore të eksportit të plehrave bujqësore ruse
Dmitriy Mazepin, kryetari i Komisionit të Prodhuesve të Plehrave të Unionit të Industrialistëve dhe Sipërmarrësve Rusë si dhe një nga aksionarët kryesorë të Uralchem, vuri në dukje se eksporti i plehrave ruse përballet me tre probleme kryesore.
“Ka tre pika kryesore. Këto janë marrja me qira e anijeve, sigurimet dhe pagesat. Bankat krijojnë pengesë shumë serioze. Sepse edhe një jurist i nivelit të ulët që mund të punojë në çdo bankë mund të pengojë të gjitha pagesat. Për këtë arsye kemi mësuar që të mos punojmë me dollarë dhe euro. Për shembull pagesat për eksportin tonë të plehrave me Brazilin bëhen me ‘yuan’ (valutë kineze)”, tha Mazepin.
Duke bërë të ditur se janë përjashtuar nga përdorimi i euros dhe dollarit, Mazepin tha se shumë vende që janë në zhvillim janë të gatshme të bëjnë pagesat në yuan./FolDrejt/