Presidenti rus, Vladimir Putin, ka miratuar ratifikimin e marrëveshjes për “pranimin” e rajoneve të Ukrainës në Federatën Ruse, respektivisht rajonet Donetsk, Luhansk, Zaporizhzhia dhe Kherson.
Putin po ashtu nënshkroi një ligj federal kushtetues për përfshirjen e katër rajoneve brenda territorit rus, shkruan AA, transmeton Fol Drejt.
Dje, parlamenti rus ratifikoi marrëveshjet për aneksimin e rajoneve të Ukrainës.
Më 30 shtator, Putin nënshkroi marrëveshje me autoritetet separatiste të rajoneve të Ukrainës për bashkimin me Rusinë, pas “referendumeve” të mbajtura nga 23 deri më 27 shtator.
Votimi erdhi më shumë se shtatë muaj pas luftës së Rusisë kundër Ukrainës që filloi më 24 shkurt.
Referendumet janë dënuar nga komuniteti ndërkombëtar, me kombet evropiane dhe SHBA-në që i quajtën “të rreme” duke theksuar se nuk do të njihen.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, tha se vendimi i Putin-it për të aneksuar katër rajonet ukrainase është i pavlefshëm dhe nuk ka pasoja ligjore./FolDrejt/