Liderët e vendeve të Evropës do të mblidhen në kryeqytetin e Çekisë, Pragë, për takimin e Komunitetit Politik Evropian i cili do të mbahet për herë të parë.
Takimi do të mbahet më 7 tetor në Pragë, ku krahas 27 vendeve të Bashkimit Evropian (BE) janë ftuar edhe 17 vende të Evropës që nuk janë anëtare të BE-së. Gjithashtu pritet që në këtë takim të marrë pjesë edhe presidenti i Turqise, Rexhep Tajip Erdogan, shkruan AA, transmeton Fol Drejt.
Përveç vendeve të BE-së dhe Türkiye janë të ftuar edhe Britania, Norvegjia, Ukraina, Shqipëria, Armenia, Azerbajxhani, Bosnjë dhe Hercegovina, Gjeorgjia, Islanda, Kosova, Lihteshtajni, Moldavia, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Serbia dhe Zvicra.
Idenë për Komunitetin Politik Evropian e paraqiti në muajin maj presidenti francez, Emmanuel Macron. Propozimi i Macron përfshin zbatimin e një formacioni politik më të gjerë se BE-ja në Evropë.
Kjo nuk mendohet si një organizatë e re ndërkombëtare, por më shumë si një “platformë për diskutim politik”. Në këtë platformë të re synohet që të bisedohen shumë çështje të tilla si ndikimet e luftës që filloi në Ukrainë pas sulmit të Rusisë, si dhe siguria, stabiliteti, energjia, ekonomia, tregtia, transporti, investimet, infrastruktura në kontinentin e Evropës.
Parashikohet që komuniteti të mblidhet një herë në 6 muaj në nivel liderësh.
Në takimin e parë të Komunitetit Politik Evropian që do mbahet në Pragë pritet që të marrë pjesë nëpërmjet video konferencës edhe presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy.
Për takimin liderët do të mblidhen në drekë, dhe më pas do të mbahen takimet e tryezës së rrumbullakët. Mbledhjet e tryezës së rrumbullakët pritet të mbahen me temat e paqes, sigurisë, energjisë, klimës, situatën e ekonomisë, emigracionin dhe transportin.
Po ashtu parashikohet që liderët të mbajnë takime dypalëshe dhe pas mbledhjeve dhe bisedimeve të mblidhen në një darkë pune.
Në fund të takimit të parë nuk pritet të publikohet një deklaratë zyrtare ose të merren vendime zyrtare./FolDrejt/