Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, përmes një postimi në facebook, ka numëruar pesë ngjarjet kryesore që e karakterizuan javën që lamë pas.
Kjo pesëshe e ngjarjeve nis nga aplikimi i Kosovës për anëtarësim në BE, duke bashkëngjitur këtu edhe arritjen e marrëveshjes për heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës.
Për të vazhduar më pas me miratimin e ndryshimeve në projektligjin e byrosë për konfiskim të pasurisë së pajustifikueshme; miratimin e buxhetit të Kosovës me 3.2 miliardë euro për vitin e ardhshëm; rritjen e eksportit të produkteve bujqësore dhe ushqimore dhe në fund subvencionimin e dyfishtë të Qeverisë për kursim të energjisë elektrike për muajin tetor.
“Pesë nga ngjarjet kryesore të javës që lëmë pas
Republika e Kosovës aplikoi për anëtarësim në Bashkimin Evropian ndërkaq institucionet e BE-së u pajtuan për heqjen e regjimit të vizave për qytetarët e Kosovës, më së largu me 1 janar 2024.
Komisioni i Venecias miratoi ndryshimet në projektligjin e byrosë për konfiskimin e pasurisë se pajustifikueshme. Projektligji tash shkon drejt miratimit në Kuvend të Kosovës.
Me 65 vota për, Kuvendi i Kosovës miratoi buxhetin për vitin 2023 me vlerë 3.2 miliardë euro.
Kosova shënoi rritje prej 44% të eksportit të produkteve bujqësore dhe ushqimore krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.
202,252 familje përfituan nga subvencionimi i dyfishtë i Qeverisë për kursim të energjisë elektrike për muajin tetor. Për muajin shtator kishin përfituar gjithsej 167,571 familje.”, thuhet në postimin e Kryeziut./FolDrejt/