Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, ditë më parë, u mburr para studentëve të Universitetit DePaul për “vizitën më të gjatë që një kryeministër i Kosovës ka bërë ndonjëherë në Shtetet e Bashkuara.” Kësisoj, ai e vuri theksin te “gjatësia” duke i dhënë tipare të një kriteri themelor vlerësues, ndërsa me dinakëri i flaku tutje efektet e kësaj “ekspedite”, që do të mund të ishin (hipotetikisht): marrëveshjet politike, tregtare, kulturore etj., dhe të cilat, njëmend, do ta bënin diferencën me vizitat e paraardhësve të tij.
Shkruan: Imer Topanica
Qeveria e udhëhequr nga Lëvizja Vetëvendosje (LV), ka filluar të humbas terren politik. Disa mund të mendojnë se krizat e vazhdueshme ekonomike janë faktorët të cilët e kanë shtyrë buzë zbehjes së mbështetjes elektorale, por ky është larg të qenit shpjegim i saktë. Ajo kryekëput varet nga hapja e tregut për investitorët e huaj. Kjo është sprova e madhe e saj!
- Histori (de)konspirative
Vizita e Kryeministrit Albin Kurti në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA), nuk është ndërlidhur me vizitën e Ramush Haradinajt, opozitarit më të zëshëm në Kuvendin e Kosovës.
Kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), çuditërisht, shpaloi një agjendë krejt të përafërt vizitash me atë të kryeministrit, duke u takuar me afaristë të ndryshëm kryesisht nga komuniteti shqiptar që jeton dhe vepron atje, e madje edhe me Gabriel Escobar-in, Ndihmës Asistent i Sekretarit të Shtetit për Çështje të Evropës dhe Evroazisë. Pse?
A mos është një sinjal ky i miqve amerikanë në adresë të Qeverisë Kurti II, që e ka kuptimin: «Lëvizni duart më shpejt… po tregoheni të ngathët! Përndryshe do t’ju heqim qafe!»? – Spekulim hesapi, i cili, megjithatë, nuk duhet hedhur poshtë!
Komuniteti ndërkombëtar, vendet e QUINT-it dhe në mënyrë të veçantë Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë, kanë luajtur një rol kryesor në zhvillimet politike në Kosovë. Prandaj demokracia jonë është quajtur me të drejtë: “ndërkombtarokraci¹”. Për rrjedhojë, çfarëdo skenari që flet për agjenda të cilat duan ta shkarkojnë një “qeveri impotente” nga skena, për ta sjell një tjetër më të guximshme, është i mundshëm.
Kemi qenë dëshmitarë sesi komuniteti ndërkombëtar nuk e ka pasur problem të bashkëpunoj me qeveri super të korruptuara, me kushtin që, agjendat e tyre të realizohen brenda afateve të parapara. Madje nuk është vështirë të gjenden shembuj të tillë edhe sot e kësaj dite.
Kjo nuk do të thotë se qeveritë janë të lira të korruptohen, meqë na qenka puna kështu. Assesi! Vetë LV vijon të gëzoj një reputacion si e pakorruptuar dhe për këtë ka fituar përkrahjen më të madhe elektorale, rekord ky që vështirë mund të thyhet.
- Përse jo kriza ekonomike?
Rritja e çmimeve të artikujve si naftës, energjisë elektrike, miellit etj, nuk do t’i nxjerr qytetarët shëtitoreve e shesheve, për të kërkuar llogari nga qeveria. Opozita, nga ana tjetër, duket e çakorduar dhe e pafuqishme përball një mazhorance të frikshme për nga numrat. Çarjet brenda kampit të Vetëvendosjes, po ashtu, duken, hë për hë, të menaxhueshme, prandaj është lehtë të përfundojmë me një konkluzion të tillë që: s’ka forcë të brendshme që e rrëzon atë nga pushteti.
Pastaj, “mileti” është ambientuar me inflacionin, apo krizat e çfarëdoshme ekonomike. Ai më përpara do t’ua mësynte kufijve për ta kërkuar shpëtimin, se sa të zbrazte mllefin rrugëve. Qytetarët tanë ende nuk e kanë kuptuar se kanë të drejtë të kërkojnë llogari nga shteti. Thjesht, ai ende nuk është emancipuar mjaftueshëm – në kuptimin e njohjes së sistemit demokratik. Prandaj ai revoltën e manifeston me ikje nga vendi, e jo me protesta…
Kuptohet, problemet që janë shtresuar prej kohësh, nuk janë si rrjedhojë e keqqeverisjeve të LV-së, por ajo ende nuk ka bërë asnjë hap të madh, të guximshëm, që do t’i shtynte qytetarët të thoshin: po, qe kjo qeveri është ajo që na është dashur dhe se e ardhmja e shtetit po vihet në binarët e duhur. Fjala vjen, ndonëse LV – në rolin e opozitës, pat prolonguar politika kundër oligarkëve, të njëjtit kanë vijuar ta shtrijnë hegjemoninë e tyre edhe tash, në epokën e tij².
Kështu hendeku ndërmjet shtresave të varfra dhe të pasurve, ka mbetur i njëjtë e ndoshta edhe më i thelluar për shkak të inflacionit.
- Por pse investimet e mëdha?
Vetëm stabilizimi ekonomik i vendit mund t’ua diktojë jetëgjatësinë qeverive në të ardhmen. Pas shkatërrimit të asaj pak industrie, nëpërmjet privatizimit të egër, të cilën e patëm trashëguar nga Kosova e paraluftës, shtetit nuk i kanë mbetur burime të tjera të të ardhurave veç taksave të qytetarëve, doganës dhe remitencave të diasporës. Kemi ngelur shoqëri e konsumit, pa pasur fuqinë të ngrihemi edhe te ajo e prodhimit. Prandaj na duhet një strategji e mençur për t’i joshur investitorët e mëdhenj për ta dhënë një provë para qytetarëve të cilët e kanë humbur besimin nga shteti.
Strategjia nuk mjafton të jetë vetëm “e mençur”, por edhe e shpejt. Është një faktor i cili do të luaj një rol vendimtar në zhvillimin ekonomik të vendit, ai i ndryshimit demografik!
Shqetësimi në lidhje me ndryshimet demografike, të cilat janë të vrullshme: për shkak të rënies së natalitetit, shtimit të mortalitetit dhe sidomos ikjes së të rinjve, do të duhej të ngrihej në nivel kombëtar. Kosovës, me një fjalë, po i rrjedhin damarët dhe askush nuk po orvatet t’ia mbyll plagët më shpejt.
Përfundimisht, Kryeministri Kurti, në nuk do të duhej të mburrej me “madhësinë”, pardon, gjatësinë e vizitës së tij në ShBA, sepse kjo nuk e bënë diferencën me paraardhësit e tij, por me numrin e investitorëve të mëdhenj të cilët janë bindur, pas kësaj vizite, që të investojnë në Kosovë./FolDrejt/
_______________________
¹https://www.academia.edu/36846205/_Vitin_tjet%C3%ABr_n%C3%AB_nj%C3%AB_lib%C3%ABr_q%C3%AB_duhet_ta_lexoni
²https://www.youtube.com/watch?v=yuGbF33PjZ0&ab_channel=InderinaChannel