Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti përmes një postimi në rrjetin social Facebook është shprehur se në mbledhje në mbledhjen e 86-të, morëm 23 vendime.
Ai theksoi miratimin e Projektligjit për Edukimin në Fëmijërinë e Hershme si dhe projekt-udhëzimin administrativ për mbrojtjen e fëmijës kundër faqeve të internetit me përmbajtje pornografike dhe të atyre siç shkroi ai që dëmtojnë shëndetin dhe jetën e fëmijës.
“Për mbrojtje e siguri, edukim e shëndetësi, në mbledhjen e 86-të, morëm 23 vendime. Forcimi i edukimit në fëmijërinë e hershme është katalizator për zhvillim shoqëror e ekonomik. Miratimi i Projektligjit për Edukimin në Fëmijërinë e Hershme, dëshmon përkushtimin tonë për të vegjlit tanë. Me qëllim të mbrojtjes dhe kujdesit ndaj fëmijëve, miratuam projekt-udhëzimin administrativ për mbrojtjen e fëmijës kundër faqeve të internetit me përmbajtje pornografike dhe të atyre që dëmtojnë shëndetin dhe jetën e fëmijës”, shkroi Kurti.
Ai u shpreh se miratuan edhe strategjinë e Sigurisë 2022-2027, për mbrojtje të sovranitetit dhe integritetit territorial, ruajtje të rendit kushtetues dhe sigurisë publike, përcjell Klankosova.tv.
“Për zbatimin më efikas të sanksioneve të vendosura nga Qeveria jonë ndaj Federatës Ruse dhe Bjellorusisë, në raport me situatën në Ukrainë, plotësuam vendimet ekzistuese. Me qëllim të luftimit të krimit të organizuar dhe korrupsionit, miratuam koncept-dokumentin për Regjistrin e Pronarëve Përfitues.Emëruam përbërjen e re të bordit drejtues të Fondit të Sigurimeve Shëndetësore, me qëllim të përmirësimit të gjendjes së shëndetësisë në vend”, shkroi ai.
Kurti tha se bizneset do të obligohen për shërbim të klientëve me ujë nga rubineti, si dhe për monitorim të cilësisë së ujit të destinuar për konsum.
“Që sporti të zhvillohet në një ambient të sigurt, me shanse të barabarta e konkurrencë të drejt, miratuam Projektligjin për Antidoping.Për nënshkrimin e marrëveshjes ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian për pjesëmarrje në programet “Fiscalis” dhe “Customs” 2021-2027, kërkuam autorizimin nga Presidentja e Republikës së Kosovës”, shkroi Kurti.
Tutje, ai u shpreh se miratuan nismat me Letoninë, Irlandën, Egjiptin, Lituaninë, Jordaninë dhe Pakistanin, për ripranimin e personave që qëndrojnë pa autorizim./klankosova.tv/