Andrii Bolbat, 50-vjeç, i cili punon në një minierë në rajonin Donetsk tha se për shkak të bombardimeve intensive bashkëshortja e tij dhe fëmijët janë detyruar të zhvendosen fillimisht nga Marinka në rajonin Kurakhove.
Nga goditjet artilerike nga rajoni i Donetskut nën kontrollin e separatistëve në lindje të Ukrainës, njoftohet se janë dëmtuar shtëpitë në komunën Marinka nën kontrollin e Ukrainës dhe se popullata e rajonit jeton nën frikë, shkruan AA.
Andrii Bolbat, 50-vjeç, i cili punon në një minierë në rajonin Donetsk në një prononcim për AA tha se për shkak të bombardimeve intensive bashkëshortja e tij dhe fëmijët janë detyruar të zhvendosen fillimisht nga Marinka në rajonin Kurakhove.
Ai tha se ka qenë objekt i sulmeve gjatë një vizite të vogël në shtëpinë e tij në Marinka. “Dëgjova zërin e shpërthimit teksa po ndizja sobën. U hap dera e hyrjes. Dola jashtë për të kontrolluar se çfarë ndodhi. Në atë moment në oborrin e shtëpisë ndodhi shpërthimi i dytë. E ndjeva veten keq dhe e kuptova saktësisht se çfarë kishte ndodhur”, tha Bolbat.
Duke informuar se gjatë kësaj pësoi një prerje në damarë, Bolbat tha: “Në shtëpi isha vetëm. Në të njëjtën kohë tezja ime e cila është edhe kumbara jeton 2 shtëpi më larg. U nisa drejt tyre. E ndieja që po humbisja vetëdijen. Ata po fshiheshin në bodrumin e shtëpisë. Hyra në shtëpi dhe munda të kërkoj kumbarën”.
Bolbat tha se po zvarritej nëpër tokë teksa bombardimet vazhdonin. “Thirrën ambulancën e cila mbërriti shpejt dhe më morën që nga aty. Më pas filloja të humbas vetëdijen si pasojë e damarëve të dëmtuar plotësisht. Kam humbur rreth 2 litra gjak. Madje dy copëza shrapneli metalike ende janë në shpatullën time, ndërsa njëra në gjoks. Mjekët nuk i kanë nxjerrë pasi thanë se mund të humbas sërish gjak gjatë nxjerrjes së tyre të cilat kanë hyrë në indet e buta. Më thanë se do t’i nxjerrin më vonë”, tha ai.
– “Edhe sa civilë duhet të vdesin?”
Pasi theksoi se dëshiron që problemi të përfundojë sa më parë, Bolbat u shpreh: “Imagjinoni se çfarë do të ndodhë me fillimin e luftës. Edhe sa civilë duhet të vdesin? Do të vdesin njerëz, kryesisht njerëz si ne që jetojnë në kufi”.
Larisa Kondratenko, shefja e njësisë së hetimit të policisë në qytetin Pokrovsk tha se “Situata aktualisht është e tensionuar. Përgjatë javës zonat Krasnogorovka dhe Marinka janë bombarduar intensivisht. Krasnogorovka mbeti pa energji elektrike. Dje njerëzit rrezikuan jetën dhe e zgjidhën problemin, por popullata në Krasnogorovka mbeti sërish pa energji si pasojë e bombardimeve që filluan rreth orës 17:00”.
Ndërsa 40-vjeçarja Alina të cilës i është dëmtuar shtëpia tha: “Dje rreth orës 17:30 ka pasur goditje artilerike. Vajza ime 16-vjeçare ishte vetëm në shtëpi. Po vija nga puna dhe bombardimet më zunë në rrugë. Një bombë ra në dhomën e vajzës gjatë kohës që ishte e ulur në kolltuk. Është mrekulli që kishte dalë nga aty për momentin e disa sekondave dhe kishte shkuar në bodrum”.
Ndërkohë 70-vjeçarja Lyudmila Dorofeyeva, vjehrra e Alinas tha: “Pas sulmit mbylla dyert, mora të gjitha dokumentet dhe vrapova pranë mbesës. E shkreta vajzë ishte duke qarë, mortaja ra pikërisht më dhomën e gjumit të saj. Çdo gjë këtu është rrëmujë”.
“Është ende fëmijë, 16-vjeçe. Si mund t’i përballojë këto? E shkreta vajzë, po dridhej në bodrum me dokumentet në duar. Më pas erdhën edhe prindërit e saj”, tha Dorofeyeva duke shtuar se mbesa e saj u frikësua shumë.
Duke u bërë thirrje palëve që t’i japin fund kësaj situate, Dorofeyeva tha: “Ju lutem lejoni fëmijët tanë të jetojnë jetën e tyre. Duan të jetojnë”.
– Rusia njohu separatistët
Pavarësisht qeverisë së Kievit, separatistët pro-rusë në lindje të Ukrainës në vitin 2014 në territorin ukrainas formuan dy të ashtuquajtura administrata të ndara, Republikën Popullore të Donetskut dhe Republikën Popullore të Luhanskut. Ndërsa qeveria e Moskës më 21 shkurt mori vendim për njohjen zyrtarisht të administratave në fjalë të separatistëve.
Sipas OKB-së, mbi 13 mijë persona e kanë humbur jetën nga konfliktet në rajonin ku ditët e fundit janë vërejtur rritje të shkeljes së armëpushimit.
Në anën tjetër shqetësime ka shkaktuar edhe prania e më shumë se 100 mijë ushtarëve rusë në Bjellorusi dhe Krimenë e aneksuar, në kufirin Ukrainë-Rusi si dhe prania e anijeve luftarake në Detin e Zi./AA/FolDrejt/