Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, përmes një shkrimi të tij të postuar në facebook, ka kujtuar edhe ditëlindjen e komandantit legjendar, Adem Jashari, për të cilin thotë se vdiq për të jetuar përgjithmonë, transmeton Fol Drejt.
Rama, në postimin e tij, ndër tjerash e krahason Adem Jasharin me Gjergj Elez Alinë, ku siç thotë ai “plagët në trup janë më shumë se nëntë e janë vetë trupat e njerëzve të gjakut të heroit, copëtuar nga plumbat e një bajlozi të stërmadh sa një ushtri e tërë armike që mësyu mizorisht mbi shtëpinë ku zhvillohet rrëfimi mitologjik”.
“Sikur ajo shtëpi e sharruar nga zjarri armik të mos ishte ende aty, sikur familjarët e vrarë të Adem Jasharit të mos ishin banorë të asaj shtëpie, që figurojnë një më një, në gjendjen civile të komunës Prekaz dhe sikur vetë Adem Jashari të mos ishte një njeri i gjallë deri në 7 marsin e vitit 1998, i cili figuron edhe si klient në regjistrin e hotelit “Arbëria” në Tiranë, do të ishte realisht e pamundur t’i besohej vërtetësisë së historisë mitike të komandantit legjendar të luftës së Kosovës.”
“Madje edhe vetë Besarta, shtojzovallja e mbijetuar e asaj masakre të pabesueshme, do të dukej si rrëfimtarja e përhumbur e një përralle, nëse familja Jashari nuk do të kishte qenë aty, mes një komuniteti të tërë shqiptarësh të zakonshëm prej të cilit u nda, e gjitha, menjëherë, në terrin mes dy ditëve të zakonshme mbi pllajën baritore të Prekazit.”
“Madje madje edhe ajo pllajë, e kthyer sot në një varrezë unikale dëshmorësh me një trung të vetëm familjar, nëse nuk do ishte aty, pjesë reale e gjeografisë së Kosovës, do të dukej si pejsazhi i krijuar nga peneli i imagjinatës për të qenë skena magjike e zhvillimit të gojëdhanës së lashtë, për një kreshnik me emrin Adem Jashari e familjen e tij.”, shkruan Edi Rama.
Mirëpo, siç shkruan ai tutje, e gjitha është e vërtetë e UÇK-së, ku një popull ngriti krye kundër urrejtjes e harresës dhe triumfoi kundër të gjitha paragjykimeve e parashikimeve./FolDrejt/