Kohëve të fundit ka filluar të sulmohet dhe të lëkundet seriozisht organizimi ynë social i familjes sonë tradicionale. Me zhvillimin tekniko-teknologjik, me hovin e madh të konsumerizmit dhe me imponimin, shpesh edhe dhunshëm, të liberalizmit, kjo në emër të lirisë personale dhe jetës individuale, është sulmuar dhe lënduar seriozisht familja tradicionale.
Kur themi familje, kjo për neve nënkupton bashkësinë mes një burri dhe një gruaje, që janë kurorëzuar publikisht, me pëlqimin e familjeve të tyre dhe kanë marrë një bekim religjioz. Mënyrat e tjera të bashkëjetesës me çifteve të gjinisë së njëjtë ose edhe të bashkëjetesës së gjinisë së kundërt, por që nuk janë kurorëzuar, për ne nuk janë familje dhe, rrjedhimisht, për etikën tonë tradicionale shqiptare dhe myslimane janë të përjashtuara. Bile, nëse e doni më saktë, nëse dikush del nga kornizat e asaj që është familja në kuptimin tonë konservator dhe e quan familje edhe një bashkësi homoseksuale, ai ka bërë diskriminim ndaj të gjithë neve që me familje nënkuptojmë një institucion tjetër social.
Këtu më duhet të shpjegoj se ne askujt nuk po ia mohojmë të drejtën e jetës së tij personale dhe nuk kemi të drejtë t’ia ndalojmë të bëjë çfarë të dojë në jetën e tij private, pasi ta mbyllë derën e shtëpisë së tij, por nuk mund të lejojmë që një sjellje e tillë të na shitet dhe promovohet si vlerë, madje – më keq se kaq – nëse dikush e quan atë si “devijim moral” ose “ves i ulët”, të etiketohet si homofob ose “i paemancipuar”. Këtë nuk mund ta tolerojmë kurrë.
Morali ynë si komb për shekuj të tërë është ndërtuar me tipin e familjes tradicionale heteroseksuale, madje shumë herë e kemi thënë se “Nëna shqiptare është ajo që i fitoi edhe luftërat çlirimtare”. Prandaj, sot kur disa ideologji vijnë me propozimet “Prindi 1” dhe “Prindi 2” ose duke na sulmuar neve si “të prapambetur” dhe duke e sulmuar familjen tonë tradicionale, bëhet detyrim i yni kombëtar, historik, moral dhe fetar që ta mbrojmë këtë tip të familjes. Një komb që ka dëshmore si Nëna Zahide nuk mund të përfundojë në kombin deledash.
Prandaj, le të na quajnë si të duan dhe ne nuk do t’i sulmojmë dhe nuk do të merremi me ata, por mjafton që të pohojmë zëshëm, pa frikë dhe hezitim dhe të deklarohemi se për neve si shqiptarë familje mbetet vetëm ajo e Bacës Shaban dhe e Nënës Zahide dhe kurrë nuk do të jetë familje ajo ku prindi nuk dihet çfarë gjinie ka. Le t’i mbajnë ato ideologji nëpër vendet e tyre, askush nuk ua ndalon, por shqiptari ynë është shqiptar dhe do të mbetet shqiptar vetëm për arsye se morali i tij është ky që e ka shpëtuar kombin nga zhbërja.
Duke e përfunduar këtë shkrim, dua t’i lus të gjithë ata që, në emër të integrimit, civilizimit ose liberalizmit, duan të na e përçudnojnë familjen dhe organizimin tonë social historik e etik, me një lutje të madhe dhe të thjeshtë: JO edhe në emrin tim. Unë jam PËR familjen tradicionale./FolDrejt/RamizDuka/