Rezoluta e Parlamentit të Kosovës për gjenocidin në Sreberenicë është përkujtim i opinionit kosovar, por edhe i atij ndërkombëtar për lidhjen e viktimave të luftërave në BeH dhe Kosovë, apo tregues për agresorin e njëjtë
Sanadin Voloder – Autori është redaktor në portalin Akos.ba dhe bashkëpunëtor i disa mediave boshnjake dhe rajonale
Në shkurt, shteti më i ri evropian festoi pavarësinë e tij. Përkatësisht, Kosova shpalli pavarësinë nga Serbia më 17 shkurt 2008 në një seancë të jashtëzakonshme solemne në Kuvend. Po atë mbrëmje, Qeveria e Serbisë mori vendim për anulimin e kësaj deklarate.
Vit pas viti, jemi dëshmitarë të luftës diplomatike të Kosovës për rritjen e numrit të vendeve që njohin pavarësinë e saj dhe përpjekjet e diplomacisë serbe për të detyruar sa më shumë vende të tërheqin njohjet e pavarësisë së Kosovës. Përveç kësaj, Kuvendi i Kosovës, përmes rezolutave rikujton rregullisht gjenocidin në Srebrenicë, agresionin ndaj Bosnjë e Hercegovinës.
Raportimet nga Bosnja ndikuan që lufta në Kosovë të mos zgjaste shumë
Në prag të 26 vjetorit të gjenocidit të kryer ndaj boshnjakëve në Podrinje, deputetët e Kuvendit të Kosovës, me kërkesë të komunitetit boshnjak miratuan një rezolutë që ndalon mohimin e gjenocidit të Srebrenicës dhe që paraqet një akt solidariteti me vuajtjet e boshnjakëve gjatë agresionit kundër Bosnjë e Hercegovinës.
Moment jashtëzakonisht prekës ishte kur në foltore doli nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Saranda Bogujevci, familja e së cilës u vra nga ushtria serbe, dhe e cila u mbijetoi 16 plumbave të njësitit famëkeq “Shkorpionët”.
Rezoluta e Parlamentit të Kosovës për gjenocidin në Sreberenicë është përkujtim i opinionit kosovar, por edhe i atij ndërkombëtar për lidhjen e viktimave të luftërave në BeH dhe Kosovë, apo tregues për agresorin e njëjtë.
Pikërisht shqiptarët ishin ndër viktimat e para të hordhive të Arkanit në Bijeljina të BeH-së në mars 1992, siç theksoi fotografi Ron Haviv. Shqiptarët kishin fatin e boshnjakëve në të gjitha qytetet e pushtuara nga forcat agresore serbe, kurse nga ana tjetër, shumë shqiptarë ishin luftëtarë të dalluar në Ushtrinë e Bosnjë e Hercegovinës.
Edhe pse rezistenca ndaj sundimit jugosllav, apo hegjemonisë serbe në Kosovë, filloi në fillim të viteve 1980, kosovarët luftuan për pavarësi në fund të viteve 1990, kur regjimi i Millosheviçit u dobësua dhe mbeti pa mbështetjen e aleatëve. Përveç kësaj, faktori më i rëndësishëm vendimtar që lufta e Kosovës të mos zgjaste shumë ishte përvoja e fundit e luftës së përgjakshme dhe gjenocidit në Bosnjë e Hercegovinë. Komuniteti ndërkombëtar nuk mund të përballonte përsëritjen e një gjenocidi tjetër në Ballkan në të njëjtën dekadë.
Për këtë temë ka folur fotoreporteri i njohur Ron Haviv në një intervistë për Al Jazeera Balkans. Ai nuk e fshehu zhgënjimin e tij se puna e tij dhe e kolegëve të tij nuk pati ndonjë ndikim në përfundimin e luftës në Bosnjë e Hercegovinë. Ai konsideron se kosovarët kanë përfituar më së shumti nga raportimi për agresionin ndaj Bosnjë e Hercegovinës, sepse lufta në Kosovë ishte e shkurtër sepse përvojat e luftës në Bosnjë ishin ende të freskëta.
“Ndoshta Srebrenica, si puna ime ashtu edhe puna e të tjerëve, ka bërë presion që e gjithë kjo të globalizohet dhe të veprojnë, por edhe vetë ngjarjet ishin të mahnitshme. Ata që vërtet përfituan nga lufta në Bosnjë ishin kosovarët, sepse kur isha në Kosovë dhe kur fillova të bëjë fotografi të spastrimit etnik, ndërhyrja ishte më e shpejtë sepse gazetarët që mbulonin luftën ushtronin presion mbi Clinton dhe Blair, duke thënë se Millosheviçi po bënte të njëjtën gjë përsëri, gjë që ndihmoi në ndërhyrjen shumë më shpejt në Kosovë. Gazetaria ka ndihmuar të reagohet më shpejt në Kosovë. Ne kemi ofruar ndihmë në Bosnjë, por jo aq sa donim”, tha Haviv.
Çfarë mund të mësojnë të dy kombet nga njëri-tjetri?
Meqë boshnjakët dhe shqiptarët janë pak a shumë të përzier në gjashtë shtetet e Ballkanit dhe në diasporë, është e nevojshme të rrisin bashkëpunimin e ndërsjellë.
Miratimi i Rezolutës për gjenocidin e Srebrenicës në Kuvendin e Kosovës do ta përmbushë qëllimin e saj kur të vendoset bashkëpunimi produktiv i institucioneve të dy vendeve që merren me hulumtimin e luftës, agresionit, gjenocidit dhe krimeve masive.
Boshnjakët mund të mësojnë shumë për lobimin dhe avokimin, ku Kosova, apo diplomacia shqiptare dhe diaspora, ka arritur rezultate të jashtëzakonshme. Nga ana tjetër, Bosnjë e Hercegovina mund t’i ofrojë Kosovës përvojën kërkimore-shkencore të institucioneve që merren me gjenocidin dhe krimet masive.
Si Bosnja e Hercegovina ashtu edhe Kosova me vite janë në kërkim të të zhdukurve, ndërsa krimet, kampet, përdhunimet dhe varreza masive janë kryer sipas skenarit të njëjtë. Prandaj, është e nevojshme të vendoset bashkëpunimi ndërmjet shoqatave të të burgosurve, grave viktima të luftës, institucioneve që merren me memorizimin e krimeve dhe gjenocidit në Bosnjë e Hercegovinë dhe Kosovë. Po ashtu nevojitet shkëmbimi mes artistëve, shkrimtarëve dhe shkencëtarëve që punojnë për memorizimin e vuajtjeve të dy popujve, sepse nëse brezat e rinj rriten në harresë, shumë lehtë mund të bëhen sërish viktima të projekteve nacionaliste.
Disa politikanë serbë në të dy anët e Drinës janë jashtëzakonisht të vetëdijshëm për këto fakte, prandaj ata po bëjnë të pamundurën për të parandaluar vendosjen e çfarëdo marrëdhëniesh ndërmjet BeH-së dhe Kosovës./FolDrejt/