Agjencia franceze e lajmeve AFP njoftoi se futbollisti francez Karim Benzema nënshkroi një kontratë trevjeçare me Al Ittihad, klubin nga Arabia Saudite.
Prej ditësh dihet se Benzema do të vazhdojë karrierën e tij në atë klub pasi ka bërë histori në futboll duke veshur fanellën e Real Madridit, të cilës i tha lamtumirë gjatë fundjavës. Dhe në ndeshjen e fundit për Realin, ai shënoi një gol ndaj Athleticos.
Al Ittihad do të jetë vetëm klubi i tretë në karrierën e sulmuesit 35-vjeçar francez, i cili e nisi karrierën si lojtar i Lyonit, dhe është me Realin që nga viti 2009. Në total, ai shënoi 354 gola për Realin dhe është golashënuesi i dytë më i mirë në historinë e klubit madrilen. I pari është Cristiano Ronaldo me 450 gola. Kujtojmë që edhe portugezi ka mbërritur pak më herët në Arabinë Saudite dhe ka veshur fanellën e Al Nassr.
Benzema është fituesi aktual i Topit të Artë dhe me Realin ka fituar pesë herë Champions League, si dhe Kupën e Botës për Klube. Ai gjithashtu fitoi katër tituj të La Ligës spanjolle.
AFP nuk bën të ditur detajet financiare të kontratës që Benzema ka nënshkruar me Al Ittihad. Footmercato raporton se kontrata që ka nënshkruar ai është kontrata më e madhe në historinë e futbollit dhe se Benzema do të marrë 600 milionë euro për tre vjet, transmeton Fol Drejt.