Në lidhje me situatën e fundit në veri të Kosovës ka pasur shumë reagime, si brenda Kosovës, ashtu edhe jashtë saj. Një reagim për këtë çështje e ka bërë edhe deputeti i Vetëvendosjes, Eman Rrahmani.
Deputeti Rrahmani ka thënë se Republika e Kosovës duhet të mbetet e rreshtuar në familjen euroatlantike dhe për këtë nuk duhet pasur dyshim askush.
“Situata në veri të Kosovës ka qenë një sfidë e vazhdueshme për vendin dhe për rajonin në përgjithësi. Në këtë zonë, tensionet midis komunitetit shqiptar dhe serb kanë shkaktuar shpeshherë konflikte dhe ndërprerje të qëndrueshme të dialogut.
Siguria dhe sundimi i ligjit janë thelbësor për të rritur besimin dhe për të lejuar komunitetet të jetojnë dhe të zhvillohen së bashku. Përpjekjet për të forcuar institucionet e drejtësisë dhe policisë në veri duhet të jenë prioritet, në mënyrë që shkeljet e të drejtave të njeriut dhe veprat kriminale të ndiqen dhe të dënohen me vendosmëri.
Për ta bërë këtë na duhet ndihma dhe mbështetja e parezervë e miqve ndërkombëtar. Republika e Kosovës mbetet e rreshtuar si duhet në familjen euroatlantike dhe për këtë askush nuk duhet të ketë dyshim”, ka shkruar ai në profilin e tij në rrjetin social Facebook, transmeton Fol Drejt.