Rekordet Botërore Guinness e kanë njohur gjyshin egjiptian, Ezzeldin Bahader, si futbollistin më të vjetër profesionist në botë. 74-vjeçari nisi përpjekjet e tij për të thyer rekordin në fillim të këtij viti, por u shtynë për shkak të pandemisë së Koronavirusit, që solli ndaljen e të futbollit në Egjipt dhe jo vetëm.
I aktivizuar tek ekipi lokal i kategorisë së tretë kundër El Ayat Sports më 6 tetor, veterani plotësoi kriteret e kërkuara nga Rekordet Botërore Guinness në mënyrë që të konsiderohej zyrtarisht si lojtari më i vjetër në botë.
Ai shënoi edhe një penallti, pas një ekzekutimi mjeshtëror, në disfatën e së shtunës 3-2, megjithatë iu gëzua thyerjes së rekordit mes entuziazmit të nipërve dhe mbesave.
“Ëndërroj të jem në gjendje të thyej rekordin tim edhe një herë, vetëm për ta bërë garën pak më të vështirë,” – u tha Bahader gazetarëve, pasi theu rekordin e izraelitit 73-vjeçar Isaak Hayik.
Bahader, i cili mbush 75 vjeç në 5 nëntor, mund ta përmirësojë rekordin e tij, megjithëse për këtë do t’i duhet të gjejë një punëdhënës të ri, pasi i ka mbaruar kontrata më 6 tetor, pas ndeshjes.