(Poezia: “Dhe deka s’ka me sundue – “And death shall have no dominion)
Nga Rrezarta Morina
Ideja e promovimit të kategorisë së eternalitetit dhe integrimit të përplasjes tematike midis binomit mortalitet – imortalitet në letërsi është e lashtë. Që nga poetikat e hershme babilonase, me odisejën e Gilgameshit për ta gjetur barin e pavdekësisë, tema filozofike e vdekjes dhe pavdekësisë është trashëguar edhe në poetikat e mëvonshme duke iu nënshtruar një transformimi e amplifikimi.
Herë duke u manifestuar në trajtë vaji e elegjie, si reminishencë e kujtimeve për të vdekurin, herë duke nxjerrë anën filozofike dhe duke marrë ngjyrime më tepër meditative e metafizike si përsiatje mbi triadën jetë-vdekje-pavdekësi, tema e vdekjes është shndërruar në krucialitet tematik të literaturës botërore.
Në një distancim kohor prej mileniumesh, kërkimi i pavdekësisë së Gilgameshit ka zbritur edhe në poetikën e autorit Dylan Thomas duke u adaptuar si temë themelore e poezisë “And death shall have no dominion (Dhe deka s’ka me sundue). Vdekja që ilustrohet që në titull, bëhet dëshmi për natyrën filozofike që ka poezia dhe njëkohësisht nxjerr vetë mortalitetin, si motiv, temë themelore të poezisë, mirëpo esenciale mbetet mënyra mbi të cilën ndërtohet poezia, sepse ky tekst poetik që ndërtohet mbi vdekjen, artikulohet si refuzim i vdekjes, për rrjedhojë ngjitur me refuzimin e vdekjes del promovimi i eternales, pavdekësisë.
E ndërtuar mbi kategoritë elementare ontike e metafizike, kjo poezi vë në kontradiktë vdekjen me binomin jetë-pavdekësi, duke përçuar frymën filozofike të një jete internale. Duke kapërcyer nëpër të tri këto botë (jetë-vdekje-pavdekësi), poezia sjell në miniaturë të tri toposet, nëpër të cilat përshkon optimizmi i triumfit nëpërmjet përhershmërisë, pakufisë. Herë duke evokuar figurën e të vdekurit e herë duke kapërcyer në botën e të gjallëve, poezia stis përsiatje filozofike mbi mungesën fizike të të vdekurit e lidhjen shpirtërore të të gjallit, por përherë duke i mbështjellë me qëndrimin stoik dhe revoltues ndaj vdekjes. E në shërbim të promovimit të kësaj ideje rebeluese, poezia e Dylan Thomasit do të gjurmojë nëpër rrafshe të ndryshme ontike për të derivuar një simbolikë të pasur metalinguale, për më tepër edhe do të adaptojë konceptin filozofik të metempsikozës, si intencë të projektimit të eternalitetit.
Mortaliteti si refuzim dhe manifestimi i eternales
Akti refuzues dhe fryma rebeluese që përshkon poezinë e që shfaqet që në titull “Dhe deka s’ka me sundue”, bëhet bazament i krijimit të binomit tematik mortalitet – eternalitet i poezisë.
Duke selektuar një titull ku njëkohësisht afirmohet prania e vdekjes si kategori ontike, mirëpo krahas saj intonohet edhe akti human që kërkon refuzim, mospranim të saj, poezia e Thomasit ngre trajtimin e mortalitetit përmes një binariteti.
Pavarësisht aktit rebelues, në ligjërimin poetik të subjektit lirik, nuk mohohet ekzistenca e vdekjes. Subjekti lirik është i vetëdijshëm për praninë e mortalitetit si kategori e pashmangshme ontike që shpërthen përtej kornizave të vullnetit jetësor, mirëpo që intonohet brenda vullnetit individual mënyra e trajtimit të saj, ndaj ekzistenca e vdekjes për subjektin lirik është vetëm ndarje, shkëputje eksplicite prej realitetit.
N’veshët e tyne ma pulëbardhat vajtimit s’kan me ia dhanë
As valët e detit s’kan me u puqë me bregoret plot rânë
Shkëputja tokësore prej zërit të pulëbardhave dhe valëve të zhurmshme të detit që dalin si shenjim i jetës në tokë reflekton shkëputjen prej botës njerëzore. Si rrjedhojë, brenda këtyre vargjeve fshihet fytyra e vdekjes që koncepton subjekti lirik, vdekja është fashitja, ndërprerja e kontaktit eksplicit me realitetin, tokësoren. I privuar nga kontakti me botën tokësore (rërën), ujore (valët e detit) e ajrore (pulëbardhat) si një ndërprerje simbolike me tërësinë e realitetit, në poezinë e Thomasit trashëgohet ideja e tretjes fizike, si dekompozim i dyfishtë. Ndaj, ndarja e lëkurës prej eshtrave dhe tretja e eshtrave nën tokë që paraqitet në strofën e parë, e me të cilën shenjohet fytyra e vdekjes dhe vetëdija mbi vdekjen si dekompozim trupor, ndiqet edhe nga dekompozimi transcendental, në kuptimin e fashitjes graduale të individit prej realitetit: i dekompozuar si trup që shtrihet nën dhe, individi nuk është më pjesë e realitetit dhe si rrjedhojë privohet edhe nga kënaqësia e të jetuarit dhe komunikimit me kategoritë tjera ontike. Kjo ndalesë fizike, ky dekompozim ambig i trupit të njeriut si pasojë e vdekjes mbyllet këtu, ky është intensiteti me të cilin autori e koncepton vdekjen, si prishje e trupit dhe si distancim fizik i realitetit, mirëpo rebelohet ndaj këtij dekompozimi jo vetëm duke sipërvendosur lidhjen shpirtërore si formë komunikimi të përhershëm me botën, mirëpo edhe një lidhje fizike implicite nëpërmjet metempsikozës.
Ideja e ndërfutjes së filozofisë së metempsikozës, që shpërfaqet në fund të poezisë, lidhet me paraqitjen e margaritave si formë me të cilën shpirti komunikon me botën. Kësisoj, pamundësisë për ta parë pulëbardhën dhe valët e detit, autori ia kundërvë nëpërmjet intonimit të margaritave:
E ata edhe pse dekun e varrue, hikun bote e tjetërsue,
Kan me lulue si margaritë për t’pa tokë e për t’pa dritë;
E kan me pushue nder diell derisa nata ditën ta përcjellë – thotë subjekti lirik, me ç’rast nëpërmjet transformimit metempsikik të trupit në margaritë njeriu rrëshqet drejt hapit të parë të rilidhjes me realitetin dhe rrëshqitjes në rrafshin e eternales. Rikthimi i njeriut në tokë qoftë si shpirt i mishëruar në formën e një luleje, përveç që i kundërvihet estetikisht dekompozimit të një natyre gotike e horroristike (Kur prej l’kure eshtnat t’dahen e ashtu t’dam’ t’grryhen, t’thahen) me delikatesën, butësinë dhe estetikën e një luleje, përfaqëson njëkohësisht aktin refuzues të vdekjes, vdekja thjesht transformon konstruktin trupor, por nuk tjetërson individin, shpirtin e individit, i cili prej jetës kalon në përtej-jetë, pavdekësi.
Ndaj, gjithë poezinë e dominon intenca e subjektit lirik që t’i fashisë kufijtë midis jetës e pavdekësisë me vdekjen dhe kjo ide del që në krye të poezisë:
“T’dekunit e deshun kan me kânë nji
Me t’gjallin midis erës n’tokë e hanës drapën n’hapsi”, – thotë subjekti lirik duke çuar përpara idenë se ka të vdekur, ka vdekje, mirëpo nuk ka diferencim midis të vdekurit dhe të gjallit. Hendeku i dallimeve hiqet, ndaj edhe ideja për vdekjen zbutet, sepse zbehet vetë impakti i vdekjes si kategori. Brenda triadës jetë-vdekje-pavdekësi, impakti i vdekjes mbi jetën përthithet prej eternales si kategori supreme.
E derivuar si kauza e subjektit lirik që përshkon poezinë fund e krye, eternaliteti vjen si kundërpesha e vdekjes dhe harrimit të qenieve njerëzore, që përmbushjen e vet e gjen në polimorfizëm ontik e biologjik. Lidhja shpirtërore dhe emocioni, stoicizmi e triumfi dalin morfet përmes të cilave projektohet në poezi misioni i pavdekësisë.
Lindja e idesë së unitetit dhe ngjizjes së të gjallit me të vdekurin, si fashitje e kufirit jetë-vdekje mishërohet nëpërmjet lidhjes shpirtërore. Lidhja shpirtërore e cila në poezi paraqitet si sublimim i emocionit, ndjenjës, asaj që është internale dhe vlerë përtej materiales, trupores, i shërben idesë me të cilën tjetërsohet kufiri transcendental midis të gjallëve dhe të vdekurve:
“Edhe n’u shofshin dashnorët dashnia s’ka me u shue” – brenda këtij vargu shquhet fuqia e emocionit si katalizator të individit. Përballë eksternales fizike të të dashuruarve është internaliteti emocional që merr supremacinë dhe triumfon. Ndjenja e dashurisë si derivim që nënkuptohet si metonimi e shpirtit bëhet reprezentim i eternales, pavdekësisë ekzistenca e së cilës qëndron te shpirti. Të dashuruarit të zhveshur nga ndjenja e dashurisë mbesin vetëm qenie trupore, material, siç thotë Plotini i destinuar që të shpërbëhet, ndaj edhe përballë humbjes së tyre fizike, është lidhja shpirtërore ajo që i mban. Impakti i emocioneve, kujtimeve katalizon marrëdhënie njerëzore pantemporale, si rrjedhojë çon deri në pavdekësi, eternalitet.
Mbi eternalitetin që siguron relacioni shpirtëror mes qenieve njerëzore, në poezi derivon edhe ideja e triumfit të lidhur me relacionin jetë-eternalitet. Strofa e dytë që vjen pas vargut të lartpërmendur ndërtohet si përplasje mes fuqive destruktive që mbërthejnë jetën e njeriut në të tashmen dhe triumfit që siguron eternaliteti, ndaj edhe në këtë mes përjashtohet vdekja, sepse edhe brenda pushtetit shkatërrues, individi i rrezikuar kalon nga jeta në pavdekësi, për më tepër këtu eternaliteti merr kuptimin e triumfit të së tashmes, besimin në mposhtjen e vdekjes për shkak të pavdekësisë:
Nën dollapet e vjetrume, t’përdredhun, t’shtypun n’tokë,
T’lidhun, t’burguem prej rrote, prap’ nuk kan me u ba copë;
Kur besimi n’duert e tyne t’kputet n’dysh si litari,
Dhe ligësia amshuse përtej t’i çpojë si nji dorë harktari;
Edhe kur fundit gja s’ka me i ba ballë, ata kan me mbetë gjallë – brenda këtyre vargjeve mishërohet kundërvënia midis pësimit e tjetërsimit fizik të individit dhe triumfit si besim në të ardhmen. Shenjat e kohës së tashme, të njeriut që është në jetë dhe luftës së tij për ekzistencë, përçojnë optimizmin dhe stoicitetin e qenies njerëzore. Në këto vargje e përgjatë gjithë poezisë jeta dhe eterniteti dalin sinonimi e njëra-tjetrës, rigjenerojnë njëra-tjetrën, ndaj si rrjedhojë qenia nuk humbet, bëhet e pavdekshme dhe jo vetëm si kujtim fizik. Evokimi i sërishëm i vargjeve me margaritat që shenjojnë shpirtrat e transformuar të të vdekurve, manifestojnë edhe aktin e fundit të triumfit brenda poezisë, me ç’rast brenda triadës ontike të jetës, vdekjes, eternitetit, cikli rrethor i një jete në pambarim e tjetërson impaktin dhe krucialitetin e vdekjes. Nuk ka vdekur as i vdekuri sepse është ringjallur brenda kujtimeve të të gjallit, e nuk do të vdesë as i gjalli sepse do të ringjallet sërish në kujtimet e një të gjalli tjetër – ky është rrethi ciklik semantik që jep rrethi ciklik, ku jeta, pavdekësia triumfojnë mbi vdekjen sepse ekziston reminishenca, kujtimi si lidhje pantemporale midis të gjallit e të vdekurit, ndaj i gjalli me të vdekurin bëhen një, ndaj edhe vetë margaritat dalin si reminishencë e të vdekurit, sepse ushqehen dhe gjenerojnë nga të vdekurit.
Topikat dhe simbolika e eternales
Shqyrtimi i triadës ontike që shtrihet në poezinë e Dylan Thomasit, ka prodhuar edhe toposet që i referohen triadës, ndaj tri strofat e poezisë janë një parakalim nëpër tri rrafshet ontike e temporale të individit, të projektuara nëpërmjet figurave që stisin identitetin gjegjës të secilit rrafsh veç e veç.
Projektimi i vdekjes në strofën e parë ka prodhuar si rezultat edhe toposin, me ç’rast përdorimet leksikore që lidhen me dheun, eshtrat e ndarë nga mishi dhe tretjen e tyre krijojnë vdekjen si topos e si vizualizim skenik. Qetësia, pasiviteti që krijon përdorimi i elementeve të tilla në projektimin e vdekjes dhe toposit lidhen me vetë atmosferën plotësisht pasive të varreve dhe të të vdekurve.
Ky pasivitet thyhet në strofën e dytë, ku dinamizmi, euforia dhe tallazi që krijojnë simbolet e përdorura bëhen projektim i toposit në të cilën shtrihet e tashmja, jeta. Atmosfera pompoze dhe sfidat nëpër të cilat kalon njeriu brenda kësaj strofe shenjon gjallërinë dhe ilustrimin dinamik të jetës. Përballë jetës pasive që shenjon toposi i lidhur me vdekjen, kalohet në toposin aktiv të jetës, (ani pse ky topos i dinamikës së jetës artikulohet si krizë, destruksion për individin) për të rrëshqitur në toposin e arritjes së eternalitetit. Vetë inkuadrimi i metempsikozës në strofën e fundit është argumentimi krucial ku arrihet toposi i pavdekësisë. Margarita që ngrihet mbi tokë, përveç si dëshmi e pavdekësisë, është edhe depërtim në toposin transcendental, metafizik të pavdekësisë, ndaj duket sikur këtë botë e mbështjell misterioziteti, përkundër qetësisë ‘absolute’ të toposit të parë dhe dinamizmit ontik të toposit të dytë.
Derivimi i këtyre toposeve i atribuohet një sistemi metalingual, që nëpërmjet shfaqjes së vetes në formën e simbolit si figura dominante e poezisë e ndjekur nga përsëritja, enumeracioni, funksionojnë si rrjet i përbashkët figurativ për ta përçuar idenë mbi fuqinë e eternalitetit që shpërfaqet nëpër gjithë poezinë.
Rrjeti simbolik që përfaqëson figurën elementare mbi të cilën autori e ndërton poezinë, ndërtohet përmes një varieteti natyrash, me ç’rast autori nxjerr elemente prej domeneve të ndryshme të realitetit njerëzor që t’i shërbejë promovimit të pavdekësisë. Kozmologjia, botanika, zoologjia, meteorologjia bëhen fushat prej të cilave subjekti lirik vjel elementet mbi të cilat situohet triada jetë-vdekje-pavdekësi, por që në thelb të gjitha këto elemente i shërbejnë idesë së pavdekësisë. Margarita, deti, hëna, pulëbardhat, yjet manifestohen si referencat simbolike nëpërmjet të cilave kodohet e përçohet ideja e triumfit të pavdekësisë. Individi i paraqitur nëpërmjet këtyre tri simbolikave kapërcen brenda kufijve të jetës e të eternalitetit, derisa vdekja, në mënyrë të palëkundshme refuzohet.
Përtej rrjetit simbolik, pjesa tjetër figurative që lidhet me përsëritjen e enumeracionin, shkrihet si pjesë mbështetëse dhe e varur e këtij rrjeti. Funksioni dominant që ka simboli në tekst vazhdon edhe nëpërmjet këtyre figurave tjera, kështu enumeracioni si një shtrim argumentativ që mëton të dëshmojë kundër vdekjes dhe përsëritja si përsëritje e titullit vazhdimisht edhe në trup të poezisë e që shërben si një element përkujtues bashkërendohen mbi të njëjtën intencë që paraqet edhe rrjeti simbolik: pafuqinë e vdekjes përballë ngadhënjimit jetë – eternalitet.
Toni pompoz argumentativ e fryma rebeluese
“Dhe deka s’ka me sundue” – thotë subjekti lirik që në kontaktin e parë me lexuesin, duke derdhur brenda këtij vargu gjithë esencën jo vetëm tematike, mirëpo edhe brumosjen e frymës e tonalitetit drejt një revoltimi, rebelimi. Që në krye, në kuptimin krejtësisht denotativ dhe të qartë të titullit shfaqet natyra pompoze e qëllimit mbi të cilin modelohet poezia.
Tema e shpalljes së luftës karshi vdekjes dhe përqafimi i besimit në eternalitetin, si formë mposhtjeje e vdekjes i japin poezisë pompozitetin e optimizmin si korniza mbi të cilën zhvillohen tonet e poezisë.
Me një ngjyrim e artikulim solemn të qëndrimit karshi kërkesave që shfaq semantikisht poezia, formimin dhe disponimin e subjektit lirik e përshkon stoiciteti. Toni afirmativ dhe revoltimi që nxjerr krye që në vargun e titullit, e që do të përsëritet edhe gjashtë herë tjera në trup të poezisë, artikulohet dhe ruhet në mënyrë graduale, teksa për të dëshmuar stoicitetin e vet subjekti lirik inicon ligjërimin argumentativ.
Duke lënë anash patosin për t’u kapur nëpër elementet e racios, intelektit, toni pompoz dhe solemn i poezisë e bashkë me të edhe subjektit lirik mishërohet me vendosmërinë dhe ndjenjën e triumfit teksa integrohet shtrimi argumentativ. Provat që derivojnë në tekstin poetik prej pohimit afirmativ për pafuqinë e vdekjes, janë një derivat i përsëritjeve, shtrimit dhe përzgjedhjes sinonimike të fakteve që çojnë në mesazhin e njëjtë, ripërsëritjen mbi inferioritetin që ka vdekja dhe supremacinë që merr binomi jetë-pavdekësi. Përgjatë shtrimit të këtyre argumenteve, rebelimi e revolta e subjektit lirik kthehen në stabilitet, stoicitet dhe optimizëm, ndaj vënia përballë e individit në situata destruktive dhe triumfi pavarësisht konditave në të cilën ndodhet është shenjë e optimizmit, ilustron subjektin lirik si qenie të tejmbushur me kurajo, shpresë dhe besim në dominimin e së mirës mbi të keqen:
Edhe kur fundit gja s’ka me i ba ballë, ata kan me mbetë gjallë – triumfi i qenies edhe në situimet me premisa kataklizmash është arritja në klimaks e besimit të subjektit lirik, që transformohet në katalizator të kurajos e motivimit për lexuesin.
Brenda këtij vargu, por edhe poezisë si tërësi, optimizmi, besimi dhe shpresa për triumf dalin specifikat e tonit e frymës që vihen në shërbim të idesë themelore në të cilën sublimohet jeta, eternaliteti e qenia e individit si ftesë për gëzim, lumëri dhe katalizim për t’u bërë ballë të gjitha kategorive ontike, sepse në fund të ditës, eternaliteti i pret të gjithë, për aq kohë sa kujtohen prej të gjallëve.
Si rrjedhojë, mbi këtë filozofi panteiste (duke iu referuar metempsikozës) që e sheh shpirtin të pavdekshëm e të rigjeneruar në natyrë, mbi pasurinë figurative që derivon varietet toposesh e përcjell idetë themelore të poezisë, kjo poezi, që në titull flet për vdekjen, bëhet në thelb poezi për jetën dhe thirrje implicite për ta jetuar atë, pa frikën e humbjes, por me optimizmin se është pavdekësia, pantemporaliteti ajo që e kapërcen kategorinë ontike të mortalitetit.
Dhe deka s’ka me sundue
Dhe deka s’ka me sundue.
T’dekunit e deshun kan me kânë nji
Me t’gjallin midis erës n’tokë e hanës drapën n’hapsi;
Kur prej l’kure eshtnat t’dahen e ashtu t’dam’ t’grryhen, t’thahen,
Hyjt e qiejve ,dhet’ pash’ nën tokë, brryl’ e kamb’ do t’iu bahen;
Edhe n’iu marrshin trut’ erë, s’kan me humbë gjykimin,
Edhe n’det n’u zhytshin, n’u mbytshin, kan me u çu pa e humbë drejtimin:
Edhe n’u shofshin dashnorët dashnia ka me lulzue, s’ka me u shue;
Dhe deka s’ka me sundue.
***
Dhe deka s’ka me sundue.
Ndan’ rrjedhave gjarpnuse t’detit n’thellësi
T’shtrimë, t’ngrimë, po me jetën fërfllazshëm n’dashni;
Nën dollapet e vjetrume, t’përdredhun, t’shtypun n’tokë,
T’lidhun, t’burguem prej rrote, prap’ nuk kan me u ba copë;
Kur besimi n’duert e tyne t’kputet n’dysh si litari,
Dhe ligësia amshuse përtej t’i çpojë si nji dorë harktari;
Edhe kur fundit gja s’ka me i ba ballë, ata kan me mbetë gjallë:
Dhe deka s’ka me sundue.
***
Dhe deka s’ka me sundue.
N’veshët e tyne ma pulëbardhat vajtimit s’kan me ia dhanë
As valët e detit s’kan me u puqë me bregoret plot rânë;
Atje ku përpara nji lul’ e vjetër, ndoshta ma nji tjetër
As ndër shiun me furi s’ka me qit’ rraj’, mbi dhé mâ s’ka me mbi;
E ata edhe pse dekun e varrue, hikun bote e tjetërsue,
Kan me lulue si margaritë për t’pa tokë e për t’pa dritë;
E kan me pushue nder diell derisa nata ditën ta përcjellë.
Dhe deka, jo, s’ka me sundue./Përktheu: Rrezarta Morina/FolDrejt/