Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), përkatësisht Inspektorati i Tregut ka shtuar prezencën e inspektorëve në treg, e që ka dhënë rezultate konkrete, me theks të veçantë në mbrojtjen e konsumatorit, thuhet në njoftimin e kësaj ministrie, transmeton Fol Drejt.
Inspektorët kanë vendosur për ndalimin e importimit të 200 kositëseve të barit me rrymë me origjinë nga Kina, për shkak se të njëjtat nuk i kanë plotësuar kërkesat ligjore të sigurisë dhe si të tilla nuk mund të vendosen në treg për konsumatorët.
Gjithashtu është ndaluar ekspozimi i cigareve elektronike, është bërë mbikëqyrja e tregtisë dhe cilësisë së naftës e vajrave motorike, është bërë verifikimi i produkteve për përmbushje të standardeve dhe të sigurisë etj.
“Gjatë javës së kaluar Inspektorati ka kryer 55 kontrolle tek operatorët ekonomikë në tërë territorin e Republikës së Kosovës.
Si rezultat i besueshmërisë së qytetarëve në efikasitetin e punës së MINT, janë pranuar dhe shqytuar 98 ankesa të konsumatorëve.
Me qëllim të analizimit të cilësisë së produkteve të naftës janë marrë 30 mostra për testim në laboratorët e akredituar. Verifikimi i peshës së bukës dhe sasisë së naftës, po ashtu kanë qenë në fokus të inspektorëve, që është bërë në bashkëpunim me Agjencinë e Metrologjisë së Kosovës, që funksionin në kuadër të MINT.”, thuhet ndër tjerash në njoftim.
“Inspektorët kanë vazhduar edhe me monitorimin e rregullt të çmimeve të produkteve të naftës nëpër pikat shitëse me pakicë. Inspektorati i Tregut do të vijojë të mbikëqyrë tregun me intensitet të shtuar dhe do të trajtojë secilën nga ankesat e konsumatorëve, për çfarë edhe i inkurajon ata që të paraqesin parregullsitë që hasin në treg.”, shtohet tutje./FolDrejt/