Ministria e Punëve të Jashtme të Rusisë njoftoi se drithërat dhe plehrat ruse nuk mund të eksportohen në vendet tjera për shkak të sanksioneve të Perëndimit.
Në deklaratën me shkrim të Ministrisë, kujtohet se marrëveshja e grurit është nënshkruar në Istanbul më 22 korrik ndërmjet Türkiye-s, Rusisë, Ukrainës dhe Kombeve të Bashkuara (OKB), shkruan AA, transmeton Fol Drejt.
Duke theksuar se Qendra e Përbashkët e Koordinimit u aktivizua në Istanbul më 27 korrik sipas marrëveshjes, më tej thuhet: “Anija e parë u largua nga porti i Odesës më 1 gusht në përputhje me procedurat dakorduara të kontrollit. Sipas të dhënave të OKB-së, deri më 26 tetor 390 anije përdorën korridorin e ndihmës humanitare në Detin e Zi dhe hoqën 8.899.048 tonë drithë nga portet, Odesa, Yuzhny dhe Chernomorks. 41 për qind e tyre janë misër”.
Në deklaratë thuhet se gjysma e dërgesave në fjalë janë bërë drejt vendeve të Bashkimit Evropian (BE), Britanisë së Madhe, Izraelit dhe Koresë së Jugut. “Vendet në nevojë si Somalia, Etiopia, Jemeni, Sudani dhe Afganistani mund të marrin vetëm 3 për qind të drithit të nxjerrë në kuadër të Programit Botëror të Ushqimit të OKB-së”, thuhet më tej.
“OKB-ja nuk e karakterizon këtë iniciativë si një sipërmarrje tregtare. Rusia është e gatshme të dërgojë 30 milionë tonë drithë në tregjet botërore dhe ta rrisë këtë shifër në 50 milionë tonë”, thuhet në deklaratë.
“Kompanitë ruse ende nuk janë në gjendje të japin plehra”
Vetëm rreth 10.5 milionë tonë drithëra ruse janë transportuar në vendet aziatike dhe afrikane dhe plehrat ruse ende nuk mund të furnizohen.
“Kompanitë ruse ende nuk janë në gjendje të japin plehra. Edhe 300 mijë tonë plehra nuk mund t’u jepeshin vendeve të varfra. 80 për qind e këtyre produkteve janë të bllokuara në depot në Letoni dhe pjesa tjetër në Estoni, Belgjikë dhe Holandë. Qeveritë e këtyre vendeve nuk lejojnë lëshimin e drithërave sipas Programit Botëror të Ushqimit të OKB-së. Arsyeja e situatës janë sanksionet e njëanshme të Perëndimit. Ndikimi negativ i këtyre sanksioneve ishte menduar të hiqej në përputhje me dokumentin e dytë të marrëveshjes së Istanbulit”, thuhet mes tjerash.
“Më shumë se 70 anije u vendosën nën vëzhgim”
Në deklaratë u argumentua se “për të liruar kontrollet dhe për të përshpejtuar procedurat, në portin e Istanbulit u krijua artificialisht një dendësi anijesh”.
“Gjatë zbatimit të marrëveshjes, më shumë se 70 anije u vendosën nën vëzhgim ndërsa disa prej anijeve u përjashtuan nga procesi për shkak të tentativave të tyre për kontrabandë dhe shkeljeve sistematike. Abuzimi me korridorin humanitar nuk mund të përjashtohet, duke pasur parasysh hetimet e vazhdueshme për rrugët e transportit të lëndëve plasëse për sulmin terrorist në Urën e Krimesë më 8 tetor”, thuhet në deklaratë.
Zëdhënësja e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Rusisë, Maria Zakharova dje tha se do të vendosin për zgjatjen e marrëveshjes së grurit bazuar në të dhënat e disponueshme deri më 18 nëntor.
“Ne shpresojmë që çështjet që kemi ngritur do të zgjidhen pa diskutuar zgjatjen e marrëveshjeve”, tha ministri i Jashtëm rus, Sergej Lavrov./FolDrejt/