Rrjeti SafeJournalists sot u bëri thirrje organizatave ndërkombëtare në Kosovë, përgjegjëse për sigurimin e stabilitetit, që të bëjnë prioritet mbrojtjen e gazetarëve dhe të promovojnë një mjedis të sigurt për kryerjen e detyrave profesionale gazetareske në Kosovë.
Në njoftimin e këtij rrjeti, i cili përfaqëson më shumë se 8200 profesionistë të medias në Ballkanin Perëndimor, thuhet se ngjarjet e fundit politike në Kosovë edhe një herë kanë trazuar atmosferën dhe kanë penguar gazetarët të kryejnë detyrën e tyre gazetareske.
Ata theksojnë se deri më tani janë dokumentuar shtatë incidente me sulme ndaj gazetarëve dhe personelit të mediave në qytetet e pjesës veriore të Kosovës dhe vlerësojnë se çdo sulm ndaj gazetarëve është sulm ndaj interesit publik, transmeton Fol Drejt.