Këtë të mërkurë, Sali Berisha ka mbledhur deputetët e Rithemelimit, të cilëve u ka thënë se Kuvendi i Shqipërisë ka përjashtuar nga rendi i ditës nismën për ligjin e lustracionit. Berisha e cilëson si të rëndësishëm për të ndarë shoqërinë nga ish-persekutorët e diktaturës.
“Përsëri parlamenti përjashton nismat tona me një qëndrim politik të dënueshëm antikushtetues. Në parlament nuk sillet ligji i lustracionit, një ligj i domosdoshëm për të ndarë shoqërinë nga ish-persekutorët e diktaturës komuniste. Do të insistojmë për sjelljen e këtij ligji që ka standardet më të mira dhe nuk mund të ketë asnjë pengesë tjetër meqë është i sanksionuar në Kushtetutë si proces.”, tha Berisha.
“Problemi i dytë madhor, që bllokohet prej një viti është rezoluta për Kosovën, për gjenocidin serb. Rama është argat i Vuçiçit dhe e bllokon këtë totalisht me urdhër të tij. Urdhëron Safet Gjicin të prishë në Kukës përmendoren në kujtim dhe nderim të viktimave të gjenocidit serb në Lumë”, potencoi ai.
“Ligji i parashtrimit është ligj për hajdutët. Qytetarët ta gëzojnë këtë të drejtë, por zyrtarët e lartë jo. Siç e shihni, heqja e imunitetit ka zero efekt në një kohë kur tjetri ka vendosur kontroll total në drejtësi. Ne duhet të marrim çdo masë në mënyrë që askush nga kryeministrat apo ministrat mos t’i shpëtojnë ndëshkimit. Njerëzit e përçmuar do kenë si ngushëllim se drejtësia do bëhet për ata, dhe pasuria e vjedhur nga kryeministrat dhe ministrat do iu kthehen”, tha ai, raporton TiranaNews, përcjell Fol Drejt.