Organizata për rritjen e cilësisë në arsim (ORCA) përmes një postimi në facebook, ka reaguar rreth kandidaturave për rektor në Universitetin e Prishtinës, duke e parë cilësinë dhe sasinë si tregues të humbjes së besimit në proces.
“Kandidaturat për rektor të Universitetit të Prishtinës, tregojnë se besimi në proces ka humbur dhe se duhen zgjedhje të reja në nivel universitar për të dalë nga situata e krijuar. Si për nga numri i kandidaturave, si për nga kualiteti shihet se asnjë emër me reputacion të mirë në UP nuk ka kandiduar për rektor.”, ka shkruar ORCA.
“Fakti që në mesin e 6 kandidatëve kanë aplikuar njerëz me të kaluar të dyshimtë, si shembull të përfolur për afera korruptive, apo që kanë pasur pjesëmarrje aktive në sabotazhë të integritetit akademik të UP-së, tregon se shkarkimi i rektorit dhe situata aktuale po shërbejnë si mobilizim për grupet e interesit të cilat duan ta çojnë në regres Universitetin e Prishtinës.”, ka shtuar tutje.
ORCA e ka parë shqetësues faktin që asnjë grua nuk është kandidate për rektore.
“Brengat e deritashme të shoqërisë civile për ngacmime seksuale dhe për seksizëm në UP, vërtetohen me faktin që asnjë grua nuk ka besim në këtë proces për të kandiduar si kandidate për rektor të Universitetit të Prishtinës.”, thuhet në postimin e ORCA-s.
Ndërkohë, ORCA ka parë me shqetësim edhe emrat e kandidatëve për rektor, ndërkohë që ka bërë me dije se brenda javës do të publikojë profilin e secilit kandidat për rektor./FolDrejt/