Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës, dhe Kulturës (SBAShK), i është drejtuar zëvendëskryeministrit, Besnik Bislimit, duke thënë se urojnë që nga Këshilli Ekonomik Social në Holandë të marrë mësime se si zhvillohet dialogu social.
Ndër tjera, theksohet se Qeveria e Kosovës ka qasje të gabuar ndaj sindikatave dhe partnerëve socialë, përcjell Fol Drejt.
“Zëvendëskryeministër Bislimi çka do t’i thuash Këshillit Ekonomik Social të Holandës? Tregoju të vërtetën se me fajin e Qeverisë sonë mungon dialogu i mirëfilltë social. Ju trego se nga marsi e këndej është dashur të shpallet konkurs për të aplikuar punëdhënësit, pra odat, dhe sindikatat për përbërjen e re të Këshillit Ekonomik Social, por kjo nuk ndodhi me fajin e Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale”.
“Ky Këshill nuk është funksional dhe nuk ka datë se kur do të bëhet një gjë e tillë. A do t’ju tregoni se, edhe për kundër gjithë atyre angazhimeve të përfaqësuesve të sindikatave në këtë Këshill, tani e sa vite të punësuarit në sektorin privat e publik kanë mbetur pa Marrëveshje të Përgjithshme Kolektive, e cila është bazë e realizimit e të drejtave të punëtorëve”.
“Drafti i kësaj Marrëveshje është punuar që moti, por Qeveria nuk kishte e nuk ka as sot e gjithë ditën gatishmëri për të nënshkruar atë. Zëvendëskryeministër Bislimi tregoju mikpritësve në Holandë se Qeveria e Kosovës ka qasje të gabuar ndaj dialogut social dhe ka pasur përpjekje edhe të përzihet në organizimin sindikal e madje edhe të shuaj zërin sindikal dhe se në vend të dialogut të sinqertë ka zgjedhur sulmet verbale dhe ironinë e talljet pa kripë ndaj udhëheqësve legjitim sindikalë”, thuhet në reagimin e SBASHK-ut./FolDrejt/