Kancelari gjerman, Olaf Scholz, ka deklaruar se vendi i tij duhet të përshpejtojë kalimin drejt energjisë së gjelbër si për mbrojtjen e klimës ashtu edhe për më shumë prosperitet, njofton AA, transmeton Fol Drejt.
Duke folur për gazetarët në Berlin, pas një takimi me drejtues të biznesit dhe sindikatave, Scholz theksoi se Gjermania ka synime ambicioze dhe synon të prodhojë 80 për qind të energjisë elektrike nga burime të rinovueshme deri në vitin 2030.
“Duhet t’i shpejtojmë gjërat. Ne kemi plane të mëdha. Kjo do të thotë që çdo ditë duhet të ndërtojmë katër deri në pesë turbina me erë, panele diellore të barazvlershme me 43 fusha futbolli, duhet të instalojmë rreth 1.600 pompa nxehtësie dhe të ndërtojmë katër kilometra rrjete transmetimi”, tha Scholz.
Kancelari gjerman tha se Gjermania duhet të arrijë tranzicion energjetik për neutralitetin e klimës, por edhe për gjenerimin e energjisë së sigurt dhe të përballueshme për familjet.
“Ne supozojmë se deri në vitin 2030 do të kemi nevojë për 300 mijë deri në 500 mijë punëtorë të kualifikuar për profesionet që janë vendimtare për tranzicionin energjetik. Punë të tilla janë tërheqëse dhe ofrojnë mundësi të ndryshme”, tha ai.
Qeveria gjermane po planifikon të ulë emetimet e gazeve serrë me të paktën 65 për qind deri në vitin 2030 dhe të arrijë neutralitetin klimatik më së voni deri në vitin 2045./FolDrejt/