Arbëreshët e Italisë, të shkëputur nga trungu amë për gati gjashtë shekuj, përbëjnë një mrekulli antropologjike në aspekt të ruajtjes së gjuhës arkaike shqipe, të kulturës dhe të traditës së vjetër shqiptare.
Shkruan: Sevdail Demiri
Arbëreshët historikisht janë pikë e fortë e orientimit properëndimor dhe proevropian të kombit shqiptar, ndërsa gjuhën dhe traditën e tyre të lashtë, e kanë ruajtur e kultivuar edhe falë mendjendriturve të kombit, të cilët tani e 114 vjet më parë në Manastir përcaktuan dhe unifikuan shkronjat shqipe me bazament latin.
Për Institutin e Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Shkup, dy ishin nxitjet kryesore që sollën deri te vendimi që pikërisht arbëreshët të ishin tema kryesore e manifestimit tashmë tradicional kulturor – shkencor “Ditët e Alfabetit”.
Së pari, ishte frymëzimi që na erdhi nga shoqërimi disaditor me komunitetin arbëresh të Kalabrisë gjatë vizitës ekipore që ua bëmë ne si Institut në prill të vitit 2019. Ngrohtësia dhe dashuria e tyre qiellore për vëllezërit e gjakut dhe për “Gjuhën e Zemrës”, siç e quanin arbërishten, la mbresa të pashlyeshme në mbamendjen tonë.
Së dyti, ishte nxitja dhe mbështetja e parezervë që na e dha një personalitet i shquar i letrave shqipe, bashkëpunëtor i Institutit tonë, studiuesi profesor Anton Nikë Berisha, i cili për vite me radhë kishte jetuar bashkë me këtë komunitet, duke mbajtur leksione në Universitetin e Kalabrisë në Kozencë.
Pra, edicioni i tretë i manifestimit kulturor – shkencor “Ditët e Alfabetit”, i mbajtur më 14 -22 nëntor 2021, temë qendrore kishte “Gjuhën, letërsinë, kulturën dhe traditën arbëreshe”. Gjatë atyre ditëve, u organizuan sesione të veçanta tematike me studiues dhe artistë të njohur. Kështu, Instituti shqiptar i Shkupit u bë përçues i denjë i vlerave kulturore e shkencore, duke rikthyer vëmendjen dhe interesimin te bota arbëreshe, e cila fatkeqësisht, në këtë epokë të globalizimit, çdo ditë më tepër po zvetënohet dhe shkrihet në kulturat e mëdha.
Me këtë rast, më lejoni t’ju përkujtoj se manifestimi u hap sot një vit, më 14 nëntor, duke promovuar botimin e veçantë “Ditët e Alfabetit” – II, dhe vazhdoi në ditët vijuese me trajtimin e këtyre temave: “Letërsia arbëreshe në rrjedhë të shekujve”, “Gjuha arbëreshe, dëshmia kryesore e mbijetesës”, “Françesko Altimari – studiues i gjuhës dhe i letërsisë arbëreshe”, “Matteo Mandalà – studiues i letërsisë dhe i filologjisë arbëreshe”, “Anton Nikë Berisha – studiues i letërsisë së arbëreshëve të Italisë”, “Muzika arbëreshe”, dhe aktivitetet u përmbyllën me 21 nëntor me shënimin e përvjetorit të Kongresit të Alfabetit të Gjuhës Shqipe në Manastir, dhe më 22 nëntor në Shkup me shënimin e ditëlindjes së ITShKSh-së.
Sado që dikush mund të pretendojë se tema arbëreshe është konsumuar nëpër kohë, e vërteta është se, siç pohon edhe prof. Berisha, ajo që është bërë deri më tani për studimin e kulturës arbëreshe, është vetëm një pikë uji në det. Prandaj, në këtë prizëm, ne u kujdesëm që të gjitha rezultatet e sesioneve shkencore të edicionit të tretë të “Ditëve të Alfabetit”, t’i botojmë në një vëllim të veçantë, që sot e kemi para nesh.
Me këtë botim, shpresojmë dhe urojmë që sado pak të kemi nxitur kujdesin dhe interesin ndaj arbëreshëve, dhe të kemi kontribuuar në shtjellimin e temave hulumtuese që mund të mos jenë trajtuar në këtë formë askund më parë.
Ju falënderoj për vëmendjen dhe urime Ditët e Alfabetit!
/FolDrejt/